Maqedoni
LSDM: Regjistrim do të ketë në pranverë
10.02.2021 14:54
LSDM këmbëngul se regjistrim të popullsisë do të ketë në pranverë të këtij viti.....

LSDM këmbëngul se regjistrim të popullsisë do të ketë në pranverë të këtij viti. Nga kjo parti thonë se do të ndiqen të gjitha rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse lidhur me pandeminë. Iniciativa e VMRO-DPMNE-së për ta anuluar Ligjin për Regjistrim, sipas tyre, po vërteton mënyrën e qasjes që ka kjo parti ndaj shtetit dhe qytetarëve.
“Ligji për Regjistrimin e Popullsisë ka filluar të përgatitet që nga viti 2018, me ç’rast janë pranuar të gjitha vërejtjet si nga partitë opozitare po ashtu edhe nga profesionistë të caktuar nga kjo fushë dhe nuk do të ketë sukses VMRO-DPMNE që ta pengojë procesin. Regjistrim do të ketë sipas të gjitha kritereve ndërkombëtare, Eurostat, OKB, pra regjistrim cilësorë ku do të numërohen banorët dhe amvisëritë në RMV.”,- tha Martin Kostovski nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Pushteti po e fundos në politikë regjistrimin
Edhe kryeministri, Zoran Zaev, ka thënë se regjistrim duhet të ketë patjetër. Por nga VMRO-DPMNE kanë akuzuar se kryeministri, Zoran Zaev, se ka fundosur regjistrimin në politikë. Sipas tyre, pushteti dëshiron të kryejë falsifikim me çdo kusht.
“Nëse pushteti vërtet dëshironte një regjistrim, do të kishte pranuar propozimin e VMRO-DPMNE për një regjistrim elektronik, i cili do të garantojë numra dhe fakte reale. VMRO-DPMNE do të përdorë të gjithë mekanizmat për të parandaluar një regjistrim të dhunshëm, kështu që VMRO-DPMNE do të nisë një iniciativë për të mbledhur nënshkrime të qytetarëve dhe nënshkrime të deputetëve për të ndaluar falsifikimin e dukshëm.”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
ASH-AAA: Deklarim të përkatësisë etnike
Nga koalicioni ASh-AAA mbeten në qëndrimin se gjatë regjistrimit qytetarët duhet të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe fetare. Pikëpamjet e kundërta nga qarqe të caktuara vijnë nga interpretimet e gabuara të ligjit, thotë Hysni Ismaili, nga ky koalicion.
“Ligji ka paraparë por nuk është e qartësuar, besoj se në të ardhmen e shpejtë në komisionin juridik do të sqarohen këto çështje kështu që secili të ketë të qartë këtë çështje.”,- theksoi Hysni Ismaili nga Koalicioni AsH-AAA.
Sipas Ligjit Maqedonia e Veriut nga 1 prilli deri më 25 prill do të realizojë regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive 19 vite pas regjistrimit të fundit të realizuar në vitin 2002.
NAIM RAMADANI
