Maqedoni
Qyteti i Shkupit, dhjetë makina të reja për pastrimin e hapësirave publike
10.02.2021 15:26
Ndërmarrja “Higjiena komunale” - Shkup u furnizua me dhjetë makina speciale të cilat do të përdoren për mirëmbajtjen e higjienës publike....

Ndërmarrja “Higjiena komunale” - Shkup u furnizua me dhjetë makina speciale të cilat do të përdoren për mirëmbajtjen e higjienës publike në të gjitha komunat e Shkupit. Drejtori i kësaj ndërmarrje publike, Abdusamed Shabani, dhe kreu i qytetit të Shkupit, Shilegov, njoftuan se bëhet fjalë për makina të pajisura me rezervuar uji me vëllim prej 200 litrash me të cilat do të bëhet mirëmbajtja më efikase e hapësirave në kuadër të qytetit të Shkupit.
“Prioriteti ynë kryesor për vitin 2021 është mbrojtja e shëndetit publik, andaj veprimin tonë e përqendruam në uljen e rrezikut të përhapjes së virusit Kovid-19, duke mirëmbajtur higjienën publike në qytetin e Shkupit në nivelin më të lartë të mundshëm. Së shpejti do të furnizohemi edhe me 37 automjete të reja speciale komunale – autocisterna, vetëngarkues, kiper dhe automjete të dedikuara për mbledhjen dhe transportin e mbetjes komunale, të cilat presim të kontribuojnë në masë të madhe në efikasitetin dhe cilësinë e aktiviteteve të NP Higjiena Komunale-Shkup.”,- tha drejtori i NP “Higjiena Komunale” – Shkup, Abdusamed Shabani.
“Hapësirat publike dhe pastërtia realisht janë pastërtia e shtëpive tona, sepse Shkupi është shtëpia jonë kryesore. I ftoj edhe qytetarët të jenë pjesë e këtij procesi që pastërtinë e rrethinës sonë, pastërtinë e qytetit ta kemi përgjegjësi personale. Ne përkundër kësaj i kemi forcuar edhe shërbimet inspektuese të qytetit të Shkupit dhe shpresoj që një koordinim mes nesh si qytetit i Shkupit dhe “Higjienës komunale” si dhe qytetarëve të përgjegjshëm do të arrijmë të kemi një qytet ashtu siç e duam.”,- u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
10 makinat që u promovuan janë me sistem thithës të përbërë me ventilator vakuumi me kontroll të numrit të rrotullimeve nga kabina dhe me mundësi për aktivizim hidraulik të zbrazjes, ndërsa gjithashtu janë të pajisura edhe me kamerë me monitor në kabinë për dukshmëri më të mirë në pjesën e pasme të makinës.
ZEKIRJA MEXHITI
