Maqedoni

Kovid-19, 4 të vdekur e 389 të infektuar

10.02.2021 16:25

Virusi Korona u ka marr jetën edhe katër personave në vend, ndërsa janë regjistruar edhe 389 të infektuar....

Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar edhe 389 të infektuar me Kovid-19 nga 2445 teste. Njëherit janë regjistruar edhe 998 të shëruar dhe katër të vdekur.

Po ashtu mëngjesin e sotëm një pacient ka humbur jetën, pasi është hedhur nga kati i parë i Qendrës Covid në Spitalin “8 Shtatori”.

“Pacienti i hospitalizuar në kujdesin intensiv në Spitalin “8 Shtatori” i moshës 70 vjeçare, në gjendje të rëndë dhe nën kontroll dhe vëzhgim psikiatrik, pavarësisht të gjitha masave të marra, në orët e mëngjesit u hodh nga dritarja e katit të parë. Pavarësisht procedurave të ndërmarra të reanimacionit, ekipi kujdestar konstatoi vdekjen në orën 7:30 të mëngjesit.”,- bëjnë të ditur nga spitali.

Që nga 15 marsi i vitit të kaluar, Spitali “8 shtatori” është Kovid-qendra kryesore shtetërore, ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë.

Ndërsa siç bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore në të gjitha Kovid qendrat në vend po trajtohen 591 pacientë.

Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 95 mijë e 736 të infektuar, prej të cilëve 86 mijë e 844 janë shëruar 2 mijë e 959 kanë humbur jetën ndërsa edhe 5 mijë e 933 persona janë raste aktive me Kovid-19. (Sanije Duraku, TVM2)