Forumi Rinor ASh-Alternativa: Libri i gjeografisë me elemente fashiste
Forumi rinor i partive opozitare, ASH dhe Alternativa....

Forumi rinor i partive opozitare, ASH dhe Alternativa, kanë reaguar lidhur me librin e gjeografisë për shkollat e mesme, që ka përmbajtje ofenduese për shqiptarët. Ata kërkojnë tërheqjen e këtyre librave, ndërsa apelojnë që nxënësit dhe mësimdhënësit t’u japin trajtimin e duhur librave me përmbajtje të tillë.
“Do t’ia japin trajtimin e nevojshëm këtyre elementeve fashiste në këtë libër, do t’i djegim elementet fashiste ashtu siç duhet të digjet elementi fashist në këtë shtet i cili synon të jetë pjesë e BE-së. Në faqen 99 thuhet se shqiptarët e kanë prejardhjen nga romët, që është element fashist dhe duhet të përfundojë aty ku e meriton. Në faqen tjetër thuhet se shqiptarët i kanë pushtuar këto troje, kjo është e pavërtetë dhe nuk duhet të jetë pjesë e librave të shkollave të mesme. Secili prind, arsimtar, nxënës me koshiencë atdhetare dhe patriotike që mos të lejojë që këto elemente të turpshme të jenë pjesë e librave shkollorë, indoktrohen njerëzit dhe dëmtohen shqiptarët.”,- tha Omer Ajdini nga Formi Rinor ASh-Alternativa.
Zaev: Me reformat do të largohet libri i gjeografisë
Ndërkohë kryeministri, Zoran Zaev, thotë se me reformat në arsim libri i gjeografisë do të largohet në mënyrë sistematike.
“Lëshimet që i kishim gjatë viteve në disa libra dhe materiale, njëri ndër ata libra ishte edhe libri i gjeografisë për vitin e dytë në gjimnaz. Me reformat tërësisht do të largohen dhe do të zgjidhen sistematikisht, kështu që deri më tani janë anuluar dhe është dërguar korrigjimi ose ngjashëm, por vetë libri në fushëveprimin e ndryshimit të planeve mësimore dhe përmbajtjeve do të ndryshohet.”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Libri i gjeografisë me përmbajtje ofenduese dhe të pavërteta për shqiptarët është në përdorim që nga viti 2002. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)
