Botë

Mustafa: LDK prijëse në qeveri, të hapur për bashkëpunim

19.11.2014 12:02

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot do të ofrojë rolin e saj prijës në qeverisjen e vendit, shprehet lideri i saj, Isa Mustafa..

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot do të ofrojë rolin e saj prijës në qeverisjen e vendit, shprehet lideri i saj, Isa Mustafa, por me mundësi të partneritetit me të gjithë ata që janë të vendosur për ndërtimin e shtetit ligjor, për zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 
“LDK respekton dhe vlerëson lart partnerët e koalicionit paszgjedhor dhe mbetet e përkushtuar që në harmoni me rrethanat e reja të krijuara dhe kriteret për mandatimin e institucioneve të vendit, të gjejë zgjidhje, e cila është në interes të këtij partneriteti, por edhe zgjidhje të cilat hapin mundësi reale për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale”, shkruan Mustafa në “Facebook”.
 
Sot, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të vendosë për të ardhmen e këtij subjekti politik sa i përket rolit në konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e Qeverisë.
 
LDK-ja tashmë ka shprehur qëndrimin e qartë se marrëveshja e 10 qershorit mes LDK-AAK-Nisma ose duhet të zbatohet në tërësi, ose ajo është e pazbatueshme.
 
Për një qëndrim të tillë, LDK ka marrë mbështetje edhe nga kryetarët e degëve, por këta të fundit kanë kundërshtuar një koalicion të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës.