Kosovë, 4 të vdekur e 307 të infektuar
Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë virusi Korona...

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë virusi Korona u ka marrë jetën 4 personave, ndërsa nga 1.787 të testuar, 307 kanë rezultuar pozitivë. Numri total i rasteve pozitive është 63.089 persona, prej të cilëve 1.532 kanë vdekur. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 221 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është gjithsej 54.661 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.896.
Shqipëri, shifrat e larta imponuan ashpërsimin e masave
Në Shqipëri rritja me shpejtësi e rasteve të reja me COVID-19 dhe dyshimet për qarkullimin e varianteve të reja të virusit, kanë ndikuar që autoritetet të ashpërsojnë masat kufizuese.
Në përfundim të mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi se duke nisur nga nesër zgjerohet orari i ndalim-qarkullimit nga ora 22 në ora 20 e që do të zgjasë deri në orën 6 të mëngjesit.
Po ashtu, në të paktën 10 bashki të vendit, ku është vërejtur një përhapje më e gjerë e virusit, mësimi në shkollat e mesme do të zhvillohet online.
Sa i takon Universiteteve të cilat që në nisje të sezonit zhvillojnë mësimet në distancë “sezoni i provimeve do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të Ministrisë së Arsimit, duke zbatuar rreptësisht protokollet Anti-Covid”.
Masat e reja do të jenë në fuqi për të paktën dy javë.
