Maqedoni

“Oda e Zejtarëve” të RMV-së: Të vazhdojnë ndihmat për zejtarët nga ana e shtetit

11.02.2021 14:23

Oda e Zejtarëve të RMV-së, paralajmëron se që nga fillimi i Pandemisë së virusit Korona...

Oda e Zejtarëve të RMV-së, paralajmëron se që nga fillimi i Pandemisë së virusit Korona, Zejtarët po përballen me krizë të thellë që çon edhe deri te falimentimi i disa prej veprimtarive të Odës. Në një prononcim për TVM2, kryetari i Odës së Zejtarëve të RMV-së, Agron Fazliji, tha se, së fundmi Zejtarët po hasin vështirësi gjatë zhvillimit të veprimtarisë të cilën ata e ushtrojnë, sidomos  ato artizanate  të cilat janë të lidhura ngusht me evenimente.
 
“Artaritë, Fotografët, Floktarët, Këpuctarët, Zejtaria e keramikës, Lulishtet, Ketering shërbimet, Ndërmarrejt për dekorim, pra të gjitha këto zeje nuk kanë treg deri në atë kohë sa zgjatë Pandemia me Korona Virusin. Me të vërtetë Zejtaria është në kollaps, nuk kemi turistë nëpër Çarshi, nuk ka treg”, tha mes tjerash Fazliji.
 
Fazliji gjithashtu thotë se si Odë e Zejtarëve kanë parashtruar një sërë kërkesash për ndihma sa për të ekzistuar në të ardhmen.
 
“Kemi kërkuar ndihma për Zejtarët për të realizuar pagesat e qerasë, rrymës elektrike e gjitha atyre të dhënave mujore e para fiskale që të munden të ekzistojnë deri kah muaji Prill, varësisht situates me Pandeminë, në rast se vazhdon situata të jetë e njejtë atëher kërkojmë që të vazhdohet me ndihmat financiare nga ana e shtetit”, tha mes tjerash Fazliji.
 
Gjithashtu Fazliji bëri apel deri te Qeveria e RMV-së, që sa më shpejtë të implemetohet Pakoja e 5-të e masave ekonomike. Ndryshe numri i Zejtarëve individual aktiv për momentin në Republikën e Maqedonisë së Veriut arrin në 6.000.
 
FATLUM AQIFI