Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë, VMRO fillon mbledhjen e nënshkrimve kundër tij
11.02.2021 16:02
VMRO-DPMNE vazhdon përpjekjet për të frenuar regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave.

VMRO-DPMNE vazhdon përpjekjet për të frenuar regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave. Një ditë pasi, Kuvendi refuzoi nismën e kreut të kësaj partie për grumbullimin e nënshkrimeve për miratimin e një ligji me të cilin do të shfuqizohej Ligji për Regjistrim, VMRO DPMNE ka marrë nismë vetanake që të nge procedurë përmes deputetëve të saj, me përkrahje të qytetarëve. Komiteti Qendror i kësaj partie ka vendosur që këtë nismë ta verifikojë te qytetarët, prandaj do të fillojë edhe me grumbullimin e nënshkrimeve të qytetarëve.
“VMRO-DPMNE përkrah nënshkrimeve të deputetëve, mori vendim që me vetë organizim të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve në gjithë shtetin, të cilët do t’i japin legjitimitet vendimit tonë që deputetët të propozojnë ligj për shfuqizim të Ligjit për Regjistrim. Nuk do ta shkurtojmë të drejtën e qytetarëve që të bashkëngjiten në nismën tonë për të ndaluar falsifikimin e regjistrimit.”, tha Stefan Andonovski nga VMRO-DPMNE.
Konsiderojnë se maxhoranca dhe ekzekutivi kanë frikë nga përgjigja që mund të merrnin nga qytetarët prandaj Kuvendi e ka refuzuar nismën paraprake për grumbullimin e nënshkrimeve.
“Komiteti Qendror i VMRO DPMNE-së konsideron se refuzimi i nismës për grumbullimin e nënshkrimeve të qytetarëve për miratimin e një ligji për shfuqizimin e Ligjit për Regjistrim paraqet një hap në të cilin shihet frika e pushtetit të Zoran Zaevit për t’u përball me popullin dhe vullnetin e tij.”, tha Andonovski.
VMRO-DPMNE konsideron se regjistrimi po keqpërdoret nga pushteti për përllogaritje politike por edhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga çështje të tjera më të rëndësishme për qytetarët.
SHPËTIM NUREDINI
