Botë
Përmbytje dhe evakuime në Shkodër
11.02.2021 17:40
Shkodra është zgjuar sërish këtë të enjte nën pushtetin e ujit...

Dy familje në zonën e livadheve, janë evakuuar, pasi uji ka depërtuar brenda banesave të tyre, si pasopjë e daljes së lumit Buna nga shtrati.
Siç duket edhe nga pamjet, uji ka mbuluar oborret e shtëpive, dhe si mënyrë për të kaluar deri tek mjeti i ushtrisë, janë vendosur disa goma makine.
Familjarëve u është dëmtuar gjithçka në banesa, që nga mobiljet e deri tek mjetet elektroshtëpiake.
Ndërsa në lagjen Perash, forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë i kanë ardhur në ndihmë një familjeje të prekur nga COVID-19.
Ekipi i kërkim-shpëtimit ka evakuuar anëtarët e kësaj familjeje, midis tyre një fëmijë paraplegjik.
Sipas burimeve nga Bashkia, vërshimi i ujit ka sjellë shtimin e sipërfaqeve të përmbytyra.
Përmbytje ka pasur edhe në qytetin e Vlorës, ku qendra është mbuluar nga uji, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve por edhe të banorëve.
Problematike paraqitet situata edhe në qarkun e Lezhës, ku janë përmbytur rreth 300 hektarë tokë bujqësore.
Sipas Autoritetit Rrugor shqiptar bën thirrje që drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm për shkak të reshjeve, të reduktojnë shpejtësinë si dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.
LULJETA NDOKA
