Maqedoni

Bekteshi: Me interkonektorin me Greqinë, gazi do të arrijë nga Azerbejxhani në tregun tonë

12.02.2021 11:05

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, moti pjesë në takimin ministror të Këshillit këshillëdhënës të Korridorit jugor të gazit...

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, moti pjesë në takimin ministror të Këshillit këshillëdhënës të Korridorit jugor të gazit, i cili u mbajt virtualisht në Baku, Azerbajxhan, ku Maqedonia e Veriut mori pjesë për herë të parë. 
 
“Gazifikimi i vendit është krucial për ekonominë. Në zhvillim e sipër janë aktivitetet për ndërtimin e mëtejshëm të sistemit ekzistues të tubacioneve të gazit në Maqedoninë e Veriut, lidhjen e tij me sistemet rajonale të tubacioneve të gazit, veçanërisht me Korridorin Jugor të Gazit, pastaj plani, zhvillimi i shpërndarjes së gazit që do të bëhet përmes partneritetit publiko-privat, por gjithashtu duke filluar negociatat për furnizimin e sasive shtesë të gazit natyror”, tha Bekteshi në paraqitjen e tij. 
 
Nga mesi i këtij viti është paraparë të fillojë ndërtimi i interkonektorit për lidhjen e gazit me Greqinë, i cili do të na lidhë me Korridorin Jugor të Gazit dhe kështu gazi nga Azerbajxhani do të arrijë në tregun tonë.
 
Korridori jugor i gazit, një projekt prej 40 miliardë dollarësh, përshkon 3.500 kilometra territor, nga Baku në Italinë e jugut, përmes Gjeorgjisë, Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Me përfundimin e fazës së parë të këtij korridori në dhjetor 2020, palët e interesuara po konsiderojnë zgjerimin e projektit në tregje të reja, të tilla si Ballkani, dhe tranzitin e gazit nga burime të tjera në dispozicion. Kompanitë pjesëmarrëse në projekt janë: Banka Botërore, BERZH, EIB, Banka Aziatike për Zhvillim, Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare.