Ekonomi

A rrezikohet tregtia mes Maqedonisë dhe Rusisë?

19.11.2014 14:13

Ministria e Ekonomisë është e njoftuar me paralajmërimin e Qeverisë ruse se mund t’i shqiptohen sanksione për rieksportimin e mallrave evropiane në Rusi...

Numri “një” i Ekonomisë, Bekim Neziri, informon se grupi koordinues, i udhëhequr nga Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia  e Ushqimit dhe Veterinarisë  dhe Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë veç më po  punojnë në zbardhjen e rastit dhe brenda dy ditëve duhet të dalin me përgjigje përfundimtare.
 
Në rast se vërtetohen dyshimet se disa kompani vendore kanë rieksportuar mall të huaj në Rusi, ato do të dënohen konform ligjit, thekson ministri i resorit, Neziri.
 
“Ne si qeveri dhe ministri, dhamë obligim që ky komision brenda 48 orëve të japë informacion  konkret në Qeverinë e RM-së dhe kuptohet se nëse në këto dyshime ka një gjë të vërtetë për eksport të mallrave në  Republikën ruse, ne si qeveri dhe të gjithë organet legjislative do të ngrisim aktpadi penale për subjektet, si dhe për personat të cilët kanë marrë pjesë në këtë gjë. Në këtë fazë akoma ka dyshime, mirëpo për disa ditë do të kemi rezultate”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Agjencia ruse për Sigurim të Ushqimit një ditë më parë ka shprehur  dyshimin se Maqedonia po bën rieksportimin e perimeve dhe frutave nga Evropa në Rusi.
 
Për shkak të këtyre dyshimeve, Maqedonia mund të marrë  ndalesë për eksportin e produkteve ushqimore në tregun rus.
 
REXHEP QAMILI