Maqedoni

Vazhdon vendosja e udhërrëfyesve të rinj në tre gjuhë

12.02.2021 12:13

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive...

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot në ora 14:00 do të marrë pjesë në vendosjen e udhërrëfyesve të rinj në tre gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht përgjatë korridorit 8 nga ana e NP “Rrugët e Maqedonisë” dhe Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.
 
Ky vendim i ndryshimit të tabelave/udhërrëfyesve të vjetër që nuk janë edhe në gjuhën shqipe erdhi pas nënshkrimit të kreut të NP ”Rrugët Shtetërore” Ejup Rustemi dhe implementimit më pas nga drejtori i NP ”Rrugët e Maqedonisë së Veriut” Bekim Memeti.
 
Edhe në autostradën në hyrje të Kumanovës është vendosur një tabelë e re më e madhe dhe me formë të ndryshme portal tabelë informative. Në tabelë tani informatat janë theksuar në gjuhën maqedonase, shqipe dhe në shkrimin latin”, informojnë nga ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë”, seksioni Kumanovë. Aty informojnë se tabelat në gjuhën shqipe, në bazë të ligjit, vendosen edhe në fshatra ku nuk jetojnë shqiptarë, siç është fshati Reçicë i Kumanovës, i banuar me popullatë serbe.
 
Tabelat do të ndërrohen gjatë muajve në vijim. Përveç në autostradë tabela të reja do të ketë edhe në rrugët tjera rajonal dhe magjistrale.