Maqedoni

Pr/ligji për letërnjoftime, E Majta bllokon me 1200 amendamente

12.02.2021 14:24

Deputetët e Së Majtës me 1200 amendamente synojnë bllokimin e iniciativës së Lëvizjes Besa për letërnjoftimet...

Deputetët e Së Majtës me 1200 amendamente synojnë bllokimin e iniciativës së Lëvizjes Besa për letërnjoftimet, në të cilën parashikohet të figurojë edhe përkatësia etnike e qytetarit. Kjo ka ndikuar në shtyrjen e debatit në komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive. Nga E Majta thonë se propozimi i Besës ndikon në ndarjet midis etnive dhe kërkojnë që i njëjti të tërhiqet.
 
“Si ne synojmë BE-në ndërkohë që kthehemi mbrapa me masa të tilla konservative që forcojnë ndasitë. Kemi një situatë ku qeveria nuk ka vizion për javën tjetër. Çdo ditë përshkallëzohet situata që qeveria të mbijetojë sot për nesër. Andaj sillen çështje të tilla jo pa konsensus dhe në procedurë të përshpejtuar. Po e kanë mbështetjen e LSDM-së.”,- deklaroi deputeti i Së Majtës, Borisllav Kërmov.
 
Zendeli: E Majta s’do bllokojë procesin
 
Besa dhe LSDM nuk konfirmojnë pretendimet e Së Majtës se bëhet fjalë për marrëveshje të përbashkët midis dyja partive. Nga Lëvizja Besa thonë se amendamentet janë një konspiracion i thellë që s’do të bllokojë procesin.
 
“Ka një konspiracion i cili është pak më i gjerë dhe besoj se në periudhën në vijim me siguri se gjërat do të qartësohen dhe do të kemi më tepër informacione se çka nënkupton deponimi i gjithë këtyre 700 amendamenteve në realizimin e një iniciative që nuk dëmton asnjë subjekt politik, nuk dëmton asnjë etnikumi.”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
 
LSDM gjatë debatit do të shpalos qëndrimin
 
Qëndrimi i LSDM–së do të mësohet gjatë debatit të argumentuar dhe ftuan për zhbllokimin e procesit.
 
“Qëndrimi i LSDM-së do të kumtohet, megjithatë ne jemi për bisedime dhe jo për bllokim të cilido proces. Ligji i propozuar është në përputhje me ligjin e gjuhëve dhe si i tillë është lëshuar në procedurë parlamentare. Jemi gati për debat, në përballjen e argumenteve e jo të amendamenteve të padobishme.”,- u shpreh deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.
 
Deputetët e Së Majtës thonë se veprojnë të vetëm në këtë iniciativë dhe nuk kanë biseduar me kolegët e tyre nga VMRO–DPMNE. Ndërkohë që iniciativën e Besës pritet ta mbështesin edhe BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
 
MERAL ISMAILI