Maqedoni
Këshilli Gjyqësor vendosi: Besa Ademi në krye të Gjykatës Supreme
12.02.2021 15:14
Me 12 vota pro dhe një kundër, Këshilli Gjyqësor e zgjodhi gjykatësen Besa Ademi kryetare të Gjykatën Supreme...

Me 12 vota pro dhe një kundër, Këshilli Gjyqësor e zgjodhi gjykatësen Besa Ademi kryetare të Gjykatën Supreme. Ademi fitoi edhe votat e bashkësive etnike në raport prej 4:1. I vetmi që ishte kundër zgjedhjes së saj ishte anëtari, Mirsad Surroi. Shumica e Këshillit Gjyqësor vendosën t’i japin Ademit mbështetjen kundrejt kundër-kandidatëve, Xhemali Saiti dhe Lidija Nedelkova. Ademi ka më shumë se 16 vjet përvojë gjyqësore, së pari si gjykatëse në Gjykatën e Apelit dhe që nga viti 2009 ajo është në Gjykatën Supreme. Në biografinë profesionale të Ademit thuhet gjithashtu se ajo ka qenë edhe zëvendëse e Avokatit të Popullit.
“Vendosa të votoj “për” për arsye se duke parë biografin e saj më la përshtypje se ka aftësi menaxheriale dhe mund të kryejë këtë funksion si kryetare e Gjykatës Supreme.”,- tha Sasho Gjeorgiev - anëtar i Këshillit Gjyqësor.
“Me përzgjedhjen që e bëmë ne sot, e bëmë edhe një hap drejt përforcimit të besimit në gjyqësor te qytetarët.”,- theksoi Vesna Dameva - anëtare e Këshillit Gjyqësor.
Përveç që ka përvojë shumëvjeçare në gjyqësor dhe ka dhënë testin psikologjik dhe për integritet, në favor të zgjedhjes së saj është edhe fakti që është grua.
“Gjendja është që vetëm në 13 gjykata në vend kryetare janë gratë, ndërsa në 21 gjykata kryetarë janë burra. Dhe mendoj se me zgjedhjen e Besa Ademit si grua në një farë forme japim mundësi edhe për përfaqësim të drejtë edhe të gjinisë femërore në lidhje me kryerjen e funksionit të kryetarit të Gjykatës Supreme.”,- tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev.
Në mars të vitit 2020, kur Besa Ademi udhëhiqte me Këshillin në Supreme, u votua shkarkimi i Jovo Vangellovskit. Ajo ka konkurruar për këtë post bashkë me Nedellkovën edhe në vitin 2017, por atëherë u zgjodh Vangellovski. Kreu i Supremes ka një mandat 4 vjeçar, me mundësi rizgjedhjeje edhe për katër vite tjera. Prej 10 shtator të vitit 2019, ushtrues detyre në Gjykatën Supreme ishte Faik Arsllani.
SANIJE DURAKU
