Maqedoni
Zaev: Përgatitje të dokumenteve nga “Pfizer” për Serbinë
12.02.2021 15:27
Maqedonia e Veriut ende është në pritje të sasisë së parë të vaksinave anti Kovid për të nisur imunizimin....

Maqedonia e Veriut ende është në pritje të sasisë së parë të vaksinave anti Kovid për të nisur imunizimin. Megjithëse vendet fqinje, Greqia, Bullgaria dhe Serbia kishin premtuar të sigurojnë një sasi vaksinash për Maqedoninë e Veriut, kjo ende nuk po ndodh. Aktualisht vendi po shpreson në sigurimin e 4000 dozave të para nga Serbia, por siç ka bërë të ditur kryeministri, Zoran Zaev, ende po përgatitet dokumentacioni për vaksinat të cilat do të jenë donacion, ngase marrëveshja me Kompaninë “Fajzer” nuk lejon që ato të shiten.
“Bëhet fjalë për përgatitje të dokumentacion teknik nga “Fajzer” për Serbinë, për rieksportim ose për ripagim, ose donacion nga ana e Serbisë. Qëllimi është që të arrijnë këto, fillimisht 4000 vaksinat dhe pastaj edhe 4000 të tjera. Këtu bëhet fjalë për dokumentacionin, ndërsa udhëheqësit e Serbisë, presidenti Vuçiq, kryeministrja Bërnabiq duan që këtë ta bëjnë sa më shpejtë, kështu deklaruan se po mundohen. Pjesa e parë ishte se Marrëveshja ndalon rieksportimin ose shitjen e sërishme të një vendi tjetër dhe kështu kanë vendosur që ato t’i donojnë, vetëm të fillojë procesi dhe që t’i ndihmojnë miqve të Maqedonisë së Veriut.”,- deklaroi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka konfirmuar se pritet miratimi i prodhuesit “Pfizer” që Serbia të mund t’i dërgojë vaksinat e premtuara për Maqedoninë e Veriut. Po ashtu më 15 apo 16 shkurt pritet të arrijnë në vend vaksinat kineze, për të cilat është nënshkruar marrëveshja dhe është bërë pagesa. Nga ana tjetër vendi ka bërë përgatitjet për të filluar vaksinimin. Në ueb faqen “Vakcinacija.mk” deri mëngjesin e së premtes kanë aplikuar rreth 30.000 qytetarë. Në vend aktualisht ka rreth 6 mijë raste aktive me Kovid-19, prej të cilëve në trajtim spitalorë në Kovid qendrat në tërë vendin janë 591 pacientë.
REJHANE BUSHI METAJ
