Maqedoni
Kuvend, debat rreth maturës shtetërore
12.02.2021 15:45
Në Kuvend u mbajt debat i hapur mes përfaqësuesve të Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme....

Në Kuvend u mbajt debat i hapur mes përfaqësuesve të Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe deputetëve, me qëllim që të gjendet një zgjidhje në mes kërkesave të maturantëve dhe MASh-it rreth provimit të maturës shtetërore. Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme nuk pranon të kenë katër lëndë në provimin e maturës dhe propozojnë që maturantët të testohen në dy provime eksterne dhe prej tyre të nxirret nota mesatare, ose të japin provime në katër lëndë, por me program të shkurtuar. E për të gjithë këtë, sipas maturantëve, nuk kërkohen ndryshime ligjore.
“Patjetër maturantët në këtë vit shkollor të japin provimet e maturës shtetërore me modifikim të përmbajtjes. Argumentet tona janë se ne nuk jemi në klasë që nga muaji mars 2020, pra një vit. Së dyti, kualiteti i mësimit online ndryshon shumë me atë të prezencës fizike, pastaj këtë vit kemi proces arsimor për 50 minuta më pak në javë në një lëndë. Këto modifikime i kanë bërë edhe në vendet më të fuqishme europiane dhe këtë duhet ta bëjmë edhe ne.”,- tha përfaqësuesi i Unionit i Shkollave të Mesme, Blendi Hodai.
“Nga propozimet që sot u debatuan do të isha ndaluar në dy mundësitë të cilat mund të jenë të pranueshme. E para zgjidhje ishte që maturantët të testohen në dy lëndë eksterne, ndërsa për lëndët interne t’i shkruhet një notë mesatare për katër vitet e shkollimit. Ndërsa propozimi tjetër ishte që të testohen në dy lëndë interne dhe eksterne, por me material të shkurtuar, dhe për këtë nuk është e nevojshme ndryshim i ligjit, të gjitha këto zgjidhje do t’i dërgojmë të elaboruara në mënyrë të shkruar deri tek MASh-i dhe Qeveria.”,- tha deputetja, Monika Zajkova.
Sipas prononcimeve të të gjitha palëve, marrëveshja finale duhet të kuptohet për disa ditë, pasi ta shqyrtojnë kërkesën e elaboruar me shkrim tek MASh-i dhe Qeveria. Në debat nuk mori pjesë ministrja e arsimit me arsyetimin se ndodhet në vetizolim për shkak të kontaktit me person të prekur me Kovid-19.
FITIM KRYEZIU
