Maqedoni

Në Strugë dhe Vevçan është ulur numri i pacientëve me COVID-19

12.02.2021 16:14

Ka rënë ndjeshëm numri i pacientëve të hospitalizuar në spitalin e Strugës dhe të Vevçanit....

Ka rënë ndjeshëm numri i pacientëve të hospitalizuar në spitalin e Strugës dhe të Vevçanit. Momentalisht në spitalin e Vevçanit janë duke u trajtuar vetëm 3 pacientë me COVID-19, ndërsa muajt e kaluar numri i pacientëve ishte shumë më i lartë. Situata është qetësuar edhe në fshatrat Labunisht, Oktis, Tatesh, Veleshtë dhe Podgorcë, ku që nga fillimi i pandemisë, këto vendbanime ka qenë edhe vatra të virusit. Gjithashtu, deri më tani, në këto zona ende nuk është paraqitur lloji britanik i virusit, i cili në Ohër është shumë i përhapur. 
 
“Situata është stabilizuar epidemiologjikisht pamja klinike është nën kontroll. Për momentin në Vevçan kemi tre pozitivë aktivë në spitalin ditor në ambulancën Covid, ndërsa në territorin që ne mbulojmë ka 15 persona.",- tha drejtori i spitalit në Vevçan, Jovan Stojkoski.
 
Në Vevçan që nga fillimi i pandemisë deri më tani janë trajtuar 250 pacientë pozitiv me Covid-19. Ndërsa situata më e rënduar ka qenë në fshatin Llabunishtë, ku vdekshmëria nga virusi është rreth 4%, shumë i lartë në krahasim me nivelin e vendit.  
 
“Një numër i madh për ne, duke marrë parasysh kapacitetet që kemi, një numër vërtet i madh. Kjo është diku rreth 90% e numrit të përgjithshëm të pacientëve në spital, janë pacientë pozitiv me Covid-19. Ne nuk kemi shifra statistikore, përqindja është diku rreth 4 ose 4.5% më e lartë se në nivelin e Maqedonisë.”,- u shpreh drejtori i spitalit në Vevçan, Jovan Stojkoski.
 
Edhe në Spitalin e Strugës situata me virusin është stabilizuar dhe ka rënie të numrit të pacientëve të hospitalizuar. Momentalisht në spital trajtohen 15 pacientë. Spitali modular në Strugë është gati, por ende nuk ka filluar me punë, sepse për momentin janë në funksion dy qendra Covid. Nëse ka rritje të numrit të pacientëve, edhe spitali modular do të vendoset në funksion. 
 
ILMIJE ZHAKU