Botë

Institucionet në Kosovë gati për ditën e zgjedhjeve. IDZh apelon qytetarët të respektohet Kushtetuta

12.02.2021 16:47

Në Kosovë sonte në mesnatë përmbyllet fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit...

Në garë janë Vetëvendosje, PDK, AAK, Nisma për Kosovën dhe partitë e minoriteteve. Anketat e deritanishme e kanë nxjerrë në epërsi të theksuar me mbi 50% partinë e Albin Kurtit, i cili synon postin e kryeministrit, ndërsa për postin e presidentes është nominuar Vjosa Osmani.
 
Rivalët e Vetëvendosjes, PDK dhe LDK, po ashtu pretendojnë për fitoren me kandidatët e tyre për kryeministër Enver Hoxhaj dhe Avdulla Hoti. 
 
AAK synon postin e presidentit për Ramush Haradinajn, nëpërmjet koalicionit me partinë fituese, derisa Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt lufton për të kaluar pragun.
 
Ndërkohë, KSHZ, policia dhe institucionet e drejtësisë kanë njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për realizimin e zgjedhjeve më 14 shkurt. 
 
“Bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për t’i shërbyer zgjedhjeve të lira. Ftoj subjektet politike dhe votuesit që t’i përmbahen rregullt të KQZ-së, Ligjit për Zgjedhje dhe Kushtetutës dhe të dëshmojmë që jemi të aftë të organizojmë zgjedhje të lira.”,- tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
 
“Edhe ne kemi finalizuar të gjitha procedurat dhe kemi caktuar 88 prokurorë të cilët do të operojnë me Policinë e Kosovës në ditën e zgjedhjeve që të mbrojmë votën e qytetarit.”,- theksoi Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit.
 
“Kemi caktuar 30 gjyqtarë për ditën e zgjedhjeve që do të kujdestarojnë dhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës.”,- u shpreh gjyqtarja e Gjykatës Themelore, Fatime Dërmaku.
 
“Ne kemi marrë masa dh kemi hartuar planin operativ, ne kemi ngritur kapacitetet e nevojshme dhe inkurajojmë qytetarët të njoftojnë policinë e Kosovës.”,- deklaroi Arbnesh Ajvazi nga Policia e Kosovës.
 
Lista përfundimtare e votuesve brenda Kosovës për zgjedhjet e parakohshme përmban një milion e 794 mijë e 862 votues, të cilët do të mund të votojnë në 2 mijë e 382 vendvotime. Interesim për të votuar ka shprehur edhe diaspora, por ardhjen e tyre e ka komplikuar vendimi i një dite më parë i qeverisë që t’u kërkohet test PCR për hyrje në Kosovë, ose 7 ditë karantinë. 
 
GYLTENE SINANI