Maqedoni

Regjistrimi i diasporës, Grubi: Janë tejkaluar dallimet, ligji është i qartë

12.02.2021 17:22

Ligji dhe metodologjia e regjistrimit të popullsisë janë të qartë dhe nuk ka hapësirë...

Ligji dhe metodologjia e regjistrimit të popullsisë janë të qartë dhe nuk ka hapësirë për interpretime alternative. Kështu theksoi zëvendëskryeministri, Artan Grubi, disa ditë pasi në opinion u paraqitën paqartësi rreth regjistrimit të diasporës.
 
Ai shtoi se janë tejkaluar të gjitha paqartësitë mes drejtorit dhe zëvendësdrejtorit dhe se të gjitha palët përfshirë edhe partitë politike janë dakorduar për të respektuar ligjin dhe të dhënat që do të dalin nga regjistrimi.
 
“Ligji dhe metodologjia janë të qartë dhe nuk ka nevojë për interpretimeve alternative. Institucionet e shtetit duhet të zbatojnë ligjin dhe të mos lejojnë çfarë qoftë interpretime alternative apo të ndryshme. Kemi pasur takime, edhe ministri i drejtësisë është i kyçur direkt në proces dhe mendoj se janë tejkaluar të gjitha paqartësitë dhe të dy palët nëse mund të them ashtu edhe drejtori edhe zëvendësdrejtori, por edhe LSDM dhe BDI, por edhe partitë opozitare edhe VMRO-DPMNE në mënyrë strikte, do të respektojmë ligjin, do ta zbatojmë regjistrimin dhe do t’i  respektojmë të dhënat që do dalin nga ai regjistrim.”,- tha zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Grafa etnike në letërnjoftime, Grubi: Nuk ka asgjë për t’u kontestuar
 
Këtë Grubi e deklaroi gjatë inspektimit të punimeve për vendosjen e tabelave dygjuhësore përgjatë korridorit 8 nga NP “Rrugët e Maqedonisë” dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore.
 
“Nëse kujtoheni, kjo çështje ishte marrëveshje politike gjatë ndryshimeve kushtetuese dhe nuk shoh asgjë kontestuese që të ketë edhe përkatësi etnike edhe në letërnjoftime ashtu siç kemi edhe në certifikatën e lindjes dhe në tjera dokumente, ashtu që nëse nuk ka ndonjë paragjykim etnik nuk shoh ndonjë problem tjetër teknik për zbatimin e këtij vendimi.”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Grubi foli edhe për çështjen e përkatësisë etnike në letërnjoftime, duke theksuar se kjo do ti jep fund edhe praktikës së mëhershme ku gjatë konkurseve publike për punësim keqpërdorej deklarimi i përkatësisë etnike të kandidatëve.
 
ZEKIRJA MEXHITI