Maqedoni

KSHPK: Procedurë për tre deputetë dhe një ministër

12.02.2021 17:57

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka ngritur procedurë për tre deputetë dhe një ministër...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka ngritur procedurë për tre deputetë dhe një ministër, sepse në udhëheqjen e kompanive të tyre kanë emëruar bashkëshortë dhe të afërm të ngushtë vetëm pasi kanë marrë detyrën.
 
Sipas anëtarëve të Komisionit, ata kanë shkelur ligjin që e ndalon këtë. Bëhet fjalë për deputetët, Ljupço Prenxhov nga GROM, Skender Rexhepi nga Alternativa, Abdullah Saliu nga Aleanca dhe ministrin e Bujqësisë, Arijanit Hoxha. 
 
“Udhëheqjen i ja kanë ndarë anëtarit të familjes përkatësisht bashkëshorteve të tyre, prandaj mbi këtë bazë ne ngrisim procedurën.”,- tha Katica Nikollovska nga KSHPK.
 
Nëse konstatimet në procedurë konfirmohen, ata do të duhet të paguajnë një gjobë e cila sipas nenit 105 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit është nga 300 në 500 euro. 
 
U refuzua kërkesa e VMRO-DPMNE-së, KSHPK: Zaev nuk ka pasur ndikim në vendimmarrje
 
Ndërkohë Antarët e komisionit kanë hedhur poshtë kërkesën e VMRO-DPMNE-së kundër kryeministrit Zoran Zaev për konflikt interesash dhe korrupsion, e cila i referohet dhënies së koncesioneve për gërmimin e argjilës dy ndërmarrjeve "Elenica" dhe "Total Engineering" në pronësi të vëllait dhe kushëririt të tij.
 
“Procedurën nuk e zbaton qeveria dhe as nuk merr vendime konkrete. Procedurën e ka udhëhequr ministria e ekonomisë nga komision i zgjedhur prej 20 anëtarësh dhe ata janë përgjegjës për zbatimin ligjor të saj. Roli i kryeministrit Zaev nuk ka pasur ndikim në marrjen e vendimit.”,- tha Katica Nikollovska nga KSHPK. 
 
KSHPK do të zbatojë kundërvajtje për dy këshilltarë të një këshilli komunal e që punojnë në një kopsht fëmijësh dhe nuk janë përjashtuar gjatë  marrjes së vendimit ku është votuar pikërisht për institucionin në të cilin ata punojnë.
 
Ndryshe, në seancën e sotme, KSHPK miratoi formularin sipas së cilit do të vlerësohen lëndët se a kanë kompetencë për të vepruar apo jo. 
 
NAIM RAMADANI