Ekonomi
“Java e CEFTA-s 2014”
19.11.2014 14:19
U hapë “Java e CEFTA-s 2014” në Maqedoni. Të gjitha vendet e rajonit–anëtare të marrëveshjes së CEFTA-s...

U hapë “Java e CEFTA-s 2014” në Maqedoni. Të gjitha vendet e rajonit–anëtare të marrëveshjes së CEFTA-s, sot u mblodhën në Shkup dhe diskutuan për sfidat e ardhshme, të cilat i parasheh kjo marrëveshje. Takimet e para filluan duke i diskutuar dhe shkëmbyer përvojat e tyre rreth zbatimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, i cili është kryesuesi i kësaj mbledhje, tha se programi i javës do të përqendrohet më së shumti në avancimin e marrëveshjes së CEFTA-s dhe në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve në sferën e tregtisë.
“Ne si kryesues të CEFTA-s kemi paraparë disa takime, disa nënkomitete dhe do të marrim vendime se si ne bashkërisht do të bëjmë avancimin e marrëveshjes dhe do të përmirësojmë gjendjen ekonomike në vendet e nënshkruesve të marrëveshjes CEFTA”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Bashkëpunimi rajonal ndërmjet vendeve anëtare të CEFTA-s do të kontribuojë shumë në rritjen e ardhshme ekonomike të secilit vend, theksuan përfaqësuesit e Ambasadës amerikane në Maqedoni.
“Të gjithë pjesëmarrësit, gjatë dy ditëve në vijim do të kenë mundësi të shkëmbejnë mendimet dhe përvojat e tyre, t’i identifikojnë sfidat e ardhshme dhe të gjejnë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura me të cilat përballohen ato”- tha Barton Patney nga SHBA.
Marrëveshja CEFTA, ka për qëllim ta promovojë tregtinë rajonale dhe investimet, të cilat do të përforcojnë qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve në kuadër të rajonit.
REXHEP QAMILI
