Maqedoni
Sedllarvcë, banorët protesta kundër pikë-pagesës
12.02.2021 18:15
Kanë protestuar sërish banorët e fshatit Sedllarcë kundër pikë-pagesës në dalje të Tetovës...

Kanë protestuar sërish banorët e fshatit Sedllarcë kundër pikë-pagesës në dalje të Tetovës, duke kërkuar nga drejtuesit e institucioneve përgjegjëse që sa më shpejtë të bëhet një zgjidhje për këta banorë, pasi, siç shprehen ata, kanë pasur rrugën lokale, por ndërtimi i autostradës Tetovë- Gostivar e ka shkatërruar.
Banorët e Sedllarcës nuk kërkojnë që të largojnë tërësisht pagesën, por e njëjta të paguhet aq sa e shfrytëzojnë.
“Ne kërkojmë zgjedhje, ose le të na rregullojnë rrugën alternative, ose të paguajmë aq sa shkelim. Nuk kërkojmë që të mos paguajmë fare, por të paguajmë aq sa e shfrytëzojmë.”,- theksoi një protestues.
“Kërkesat tona janë të qarta, të paguhet sa shfrytëzohet autostrada, ose rrugën alternative që ekziston vetëm që duhet të rregullohet. Kërkesa është bërë për zgjidhje të këtij problemi, ndërsa përgjigjja e tyre është kthyer dhe na kanë treguar si është ligji. Deri në Gostivar është 30 denarë nga 20 km, deri tek ne 3.5 km diku 6-7 denarë.”,- u shpreh një protestues.
“Ne kërkojmë ose të largohet pagesa ose të bëhet 10 denarë, sa na takon, ose le ta rregullojnë rrugën që e kemi pasur, kjo nuk është as autostradë, ne nuk kërkojmë shumë, ne kërkojmë atë çka është e jona. Fshati ynë është shumë afër Tetovës dhe ne nuk kemi mundësi të paguajmë ka 30 denarë shkuarje-ardhje.”,- tha një protestues.
Protestuesit paralajmëruan se nëse institucionet nuk ndërmarrin masa, ata do të radikalizojnë protestat, duke bllokuar tërësisht autostradën Tetovë-Gostivar.
VISAR SADIKI
