Kërçovë, reshjet e borës vështirësojnë qarkullimin rrugor
Rreshjet e borës në rajonin e Kërçovës...

Rreshjet e borës në rajonin e Kërçovës kanë krijuar probleme të mëdha në qarkullimin rrugor e sidomos në zonat rurale si dhe në rrugën malore në drejtim të Gostivarit.
Reshjet e borës kanë shkaktuar një varg problemesh në qarkullimin rrugor të Kërçovës. Është vështirësuar tejmase komunikacioni në akset rrugore Strazhë dhe Presekë dhe për këto arsye është vendosur ndalesa e qarkullimit për automjetet e tonazhit të rëndë në drejtim të Gostivarit dhe Strugës.
Automjetet e rënda janë ndaluar në Kërçovë dhe nuk lejohen të udhëtojnë në drejtim të Strazhës ndërsa për automjetet e lehta rekomandohet përdorimi i paisjeve dimërore dhe përshtatja e shpejtësisë për qarkullim në kushtet e dimrit.
Vështirësi janë krijuar edhe në qytetin e Kërçovës, por siç njofton drejtori i NP “Komunalec” Zenel Jonuzi, situata mbahet nën kontrollë sepse në të gjitha rrugët dhe rrugicat janë hedhur preparatet tretëse dhe ekipet e ndërmarrjes i kanë marrë të gjitha masat për pastrimin e borës dhe vendosjen e kushteve për qarkullim normal të automjeteve.
Një situatë më të rënduar të lëvizjes kemi në vendbanimet rurale ku mungojnë preparatet për shkrirjen e borës. Deri më tani nuk janë shkaktuar defekte në rrjetin elektrik dhe nuk ka pasur as ndërprerje të furnizimin me ujë të pijshëm. (Shaban Dalipi, TVM2)
