Dy vite nga tragjedia në Llaskarcë, dhimbje të shumta, epilog gjyqësor nuk ka
Po ec drejt vendit në të cilin dy vite më parë përjetoi tmerrin...

Po ec drejt vendit në të cilin dy vite më parë përjetoi tmerrin, u lëndua dhe mbeti në paterica. Ajo së bashku me të lënduarit e tjerë po vendosin lule në vendin ku u rrëzua autobusi, për të përkujtuar të vdekurit dhe për të shpresuar rikuperimin e plotë të tyre.
Ata nuk deshën të flasin para kamerave, pasi siç thanë, fjalët janë të pakta në krahasim me ndjesitë që përjetuan ato ditën e 13 shkurtit të vitit 2019.
“Autobusi i cili po qarkullonte në drejtim të Gostivarit për një moment humbi drejtimin dhe nga autostrada ra pikërisht në këtë vend. Në shenjë përkujtimi sot pas dy viteve banoirët, autoritetet dhe të lënduarit po vendosin kurora lule këtu në vendi e ngjarjes për të përkujtuar viktimat”
Me plot emocione këtë ditë e përkujtuan edhe familjarët e viktimave.
“Pas dy viteve ende dhimbja është e njejtë. Ajo është e papërshkruar. Ajo që ndodhi at ditë edhe pas dy viteve nuk mundet të harrohet dhe nuk do të mund të harrohet asnjëherë. Erdhëm këtu ti nderojmë ata që humbën jetën dhe të gjithë të lënduarit sa më shpejtë të shërohen” – tha Zhanko Stojanov, familjar i një të lënduare.
Bashkë me këshillin organizativ të marshit memorial, në Llaskarcë për të përkujtuar viktimat ishte edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili kishte kritika sa i përket epilogut gjyqësor për këtë rast.
“Në shtete hibride sikur që është Maqedonia nuk ka epilog zakonisht proceset gjyqsore. Dy vjet asnjë lajm nuk dihet kush është fajtor. Normalisht as nuk presim, as që nuk do të dihet, sepse në regjimet hibride zakonisht njerëzit e atyre të cilët dyshohet se janë pjesë e kompanisë e cila i transportonte nxënësit nuk mund të dënohen” – deklaroi Kryetari i Komunës së Gostivarit,Arben Taravari.
“Me këtë marsh duam që të sensibilizojmë pjestarët në komunikacion dhe tju dërgojmë mesazh institucioneve kompetente që të mos ndodh më kjo në të ardhmen” – tha Zamir Mustafai nga Këshilli Organizativ i Marshit Memorial. Tragjedinë e kujtojnë edhe banorët e fshatit Llaskarc. Ata kërkojnë që në vend të luleve të ndërtohet një përmendore.
“Në qoftë se duan që të vendosin lule le të vijnë dhe le të bëjnë një përmendore që ta kemi jo vetëm ne si fshatar ta shofim, por ta sheh çdo kalimtarë këtu dhe çdo njeri që ka humbur ndonjë familjarë, kur të vije këtu ta sheh se nuk ka vdekur ky vend” – u shpreh një banor i fshatit Llaskarcë.
Pas aksidentit tragjik në afërsi të fshatit Llaskarc jetën e humbën gjashtëmbëdhjetë banorë të Gostivarit dhe vendeve përreth. Dy vite pas aksidentit po zhvillohet proces gjyqësor në të cilin janë të akuzuar gjashtë persona dhe ende zgjat vërtetimi i përgjegjësisë dhe rrethanat të cilat shkaktuan tragjedinë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
