Tabanoc, arritën 4680 vaksinave anti Covid-19 nga Serbia

14.02.2021 13:56

Në pikën kufitare në Tabanoc...

Në pikën kufitare në Tabanoc, edhe zyrtarisht arritën 4.680 doza të vaksinës anti Covid-19, nga gjithësej 8.000 vaksinat e paralajmëruara si donacion nga Serbia. Vaksinat i solli vet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa ato i pranoi kryeministrit, Zoran Zaev.

“Si shprehje e një akti të vlefshëm miqësor, Republika e Serbisë dhe populli serb sot në mënyrë solidare ndau një pjesë të vaksinave të veta me popullin e RMV-së. Pakoja prej 4.680 vaksinave nga gjithsej 8.000 vaksinat e paralajmëruara është shprehje e dorës së shtrirë miqësore e fqinjësore për mbështetje dhe ndihmë të parë për qytetarët e Maqedonisë deri sa të arrijnë vaksinat që ne i kemi porositur.”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.

“Këtë që e bëmë sot, kemi mundur ta bëjmë para 10 ditësh, por dua që ta dini ju në Maqedoninë e Veriut se kemi pasur probleme të shumta rreth marrjes së lejes për eksport, sepse këto janë procedura mjaft strikte. Megjithatë u falënderoj njerëzve nga “Faizer” që na e lejuan dhe na e mundësuan këtë, por me procedura  tejet të ndërlikuara, me qëllim që të mos kemi sanksione.”,- theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Filipçe: Vaksinimi në RMV fillon të mërkurën

Ndërkaq, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se nga dita e mërkurë do të fillojë procesi i vaksinimit në Qendrën Klinike në spitalin modular.

“Ne jemi të gatshëm t’i pranojmë vaksina. Ato do të vendosen në frigoriferët adekuat. Pas njoftimit nga “Pfajzer” të premten vonë, gjatë ditës së djeshme, e nënshkruam marrëveshjen trepalëshe që ishte kusht për këtë donacion nga Serbia. Gjatë ditës së nesërme do të përfundojë procedura e rregullt në Agjencinë e Barnave dhe më pas vaksinimi do të fillojë të mërkurën me punëtorët shëndetësorë, në spitalin modular, në Qendrën Klinike në Shkup.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë i RMV-së, Venko Filipçe.

Kjo dërgesë prej 4.680 vaksinave nga 8.000 vaksinat e paralajmëruara prodhim I kompanisë “Pfizer” ,të cilat janë donacion nga Serbia ishin paraparë të arrijnë ditë më parë, por u anulua për arsye teknike me dokumentacionin.

Përveç këtyre vaksinave javën e ardhshme pritet arritja e vaksinave nga kompania kineze “Sinofarm”, nga e cila vendi ka porositur 200 mijë doza të vaksinave, për të cilat është nënshkruar kontrata dhe është kryer pagesa.

Po ashtu vendi është në pritje të vaksinave të porositura nga kompania “Pfajzer” dhe nga sistemi “Kovaks”. (Fatlum Aqifi, TVM2)