Në disa rrugë është vendosur ndalesë, Shilegov: Rrugët dhe bulevardet e qytetit janë të pastra

14.02.2021 14:26

Komunikacioni nëpër rrugët shtetërore....

Komunikacioni nëpër rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore. Për shkak të temperaturave të ulëta është e mundur paraqitja e acarit. Prej mbrëmë është vendosur ndalesë për automjetet e rënda në rrugën Kërçovë-Ohër, përmes rrugës malore Preseka, në rrugën Resnje-Ohër, përmes rrugës malore Bukovo, ndalesë për kamionë është vendosur edhe në rrugën Dibër-Strugë dhe anasjelltas.

Ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda ka edhe për rrugët: Manastir-Resnje, për rrugën Makedonski Brod-Prilep. Kamionët nuk mund të qarkullojnë edhe në rrugën Strugë-Qafthanë, ndërsa makinat e thjeshta detyrimisht duhet të kenë pajisje dimërore.

Ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda ka edhe për rrugën Gostivar-Kërçovë, përmes Strazhës dhe për rrugën Mavrovë-Dibër.

Ndërkohë Kreu i Komunës së Shkupit, Petre Shilegov përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se të gjitha rrugët dhe bulevardet në Shkup janë pastruar pas reshjeve të bores.

“Të gjitha rrugët dhe bulevardet e qytetit janë të pastra dhe kalueshmëria e tyre sigurohet gjatë gjithë ditës dhe natës nga shërbimet e qytetit. Më shumë se 1,000 ton kripë industriale u hodhën për të pastruar borën me 18 kamionë, në tre pika në qytet. Për momentin, po pastrohen zonat e këmbësorëve dhe trotuaret”, ka shkruar Shilegov.

Qytetarët: Trotuaret nuk janë të pastruara

Por qytetarët e anketuar shprehen se rrugët  kryesore janë të pastruar por trotuaret dhe rrugët dytesore aspak.

“Prioritet  kanë rrugët kryesore ti pastrojnë por trotuaret jo  me shumë vështirësi, po ecim ne këndje”.

“Po e shihni edhe vetë nuk mundë të kaloj as vetur, po as njeriu nuk mundë të ecë”

“Pastrohen vetëm rrugët kryesore ndërsa në rugët   dytësore nuk mundë të kalohet me veturë” – thanë disa nga qytetarët e anketuar nga TVM2.

Nga e hëna pritet të kemi mot të qëndrueshëm kryesisht të ftohtë. Temperaturat e mëngjesit deri të mërkurën në pjesën më të madhe të vendit do të jenë nën -10, ndërsa në disa vende nën -15 gradë Celsius. Këto ditë do të ketë rrezik nga ngricat. Ngrohja graduale nis nga nga  dita e enjtje. (Rejhane Bushi - Metaj, TVM2)