Moti, RMV e kapluar nga bora dhe nga temperaturat e ulëta
Prej mbrëmë në mbarë vendin po mbretëron mot me reshje të borës....

Prej mbrëmë në mbarë vendin po mbretëron mot me reshje të borës dhe temperatura të ulëta. Sipas meteorologëve, këtë mëngjes temperaturat ishin prej minus 11 deri në minus 6 gradë celsius.
“Këtë mëngjes temperaturat minimale ishin në interval prej minus 11 deri në minus 6 gradë celsius. Trashësia e borës këtë mëngjes ishte 65 centimetra në Kodrën e Diellit, 38 në Mavrovë, 36 në Krushevë, 33 centimetra në Manastir dhe Dibër, 23 në Pretor, 22 centimetra në Ohër dhe Prilep, 20 në Berovë, 14 në Shkup dhe 9 centimetra në Kumanovë. Reshjet do të ndërpriten në fund të ditës ndërsa më të pranishme do të jenë në pjesën jugore të vendit.”,- u tha nga Enti Hidrometeorologjik.
Për shkak të reshjeve të mëdha është vendosur ndalesë për automjetet e rënda në rrugën Kërçovë-Ohër, përmes rrugës malore Preseka, në rrugën Resnjë-Ohër, përmes rrugës malore Bukovo, ndalesë për kamionë është vendosur edhe në rrugën Dibër-Strugë dhe anasjelltas. Ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda ka edhe për rrugët: Manastir-Resnjë, për rrugën Makedonski Brod-Prilep. Kamionët nuk mund të qarkullojnë edhe në rrugën Strugë-Qafthanë, ndërsa makinat e thjeshta detyrimisht duhet të kenë pajisje dimërore. Ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda ka edhe për rrugën Gostivar-Kërçovë, përmes Strazhës dhe për rrugën Mavrovë-Dibër.
Ndërkohë, kreu i komunës së Shkupit, Petre Shilegov, përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se të gjitha rrugët dhe bulevardet në Shkup janë pastruar pas reshjeve të borës.
Nga e hëna pritet të kemi mot të qëndrueshëm, kryesisht të ftohtë. Temperaturat e mëngjesit deri të mërkurën në pjesën më të madhe të vendit do të jenë nën -10 gradë, ndërsa në disa vende në -15 gradë celsius. Sipas meteorologëve, ngrohja graduale do të nis nga dita e enjte. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)
