Imunizimi, Gjorçev: Qeveria, fijasko në përballjen me Covid–19
VMRO–DPMNE ka kritikuar pushtetin...

VMRO–DPMNE ka kritikuar pushtetin për numrin e ulët të vaksinave kundër COVID-19, ndërkohë që vdekshmëria në përmasa botërore, sipas tyre, ka arritur kulmin për kokë banori, deri në 3 mijë.
Për një shifër të tillë statistikore, sipas partisë së Mickovskit, fajtorë janë politikat e gabuara të kryeministrit, Zoran Zaev, dhe ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe. Sipas opozitës, imunizimi në vend po nis me vonesë, krahasuar me vendet fqinje por edhe shumë vende në transicion nëpër botë, andaj kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrit të shëndetësisë.
“Për fat të keq Maqedonia është më keq në botë kur bëhet fjalë për vaksinat dhe imunizimin e popullsisë, ndërkohë Maqedonia është vendi me më shumë të vdekur në kokë banori. Kjo flet se kemi fijasko të pushtetit. Kjo flet për pakujdesinë ndaj shëndetit të popullsisë dhe kjo thjesht tregon për mungesë të sistemit. Për këtë përgjegjësi duhet të ketë. Zoran Zaev dhe Venko Filipçe do të duhet të japin dorëheqje. Ata mbajnë përgjegjësi, pasi që i lanë në mëshirë qytetarët në këtë krizë të madhe.”,- tha Vlladimir Gjorçev nga VMRO–DPMNE.
LSDM: VMRO, destruktive në kurriz të pandemisë
Reagimi i tillë i VMRO–DPMNE–së për socialdemokratët shikohet si veprim destruktiv në dëm të sistemit shëndetësor, pikërisht në ditën kur Maqedonia e Veriut pranon vaksinat e para nga Serbia.
“VMRO – DPMNE për qëllime partiake sërish po keqpërdor fatkeqësinë e të sëmurëve dhe të ndjerëve nga virusi korona. Nga fillimi i pandemisë e deri më tani partia humbëse e Mickovskit s’bëri asgjë për t’iu ndihmuar punëtorëve shëndetësorë. Dhe sot kur nis hapi i fundit drejt tejkalimit të pandemisë, VMRO kalon në anën e virusit”,- thonë nga LSDM.
Kjo, sipas partisë së Zaevit, është dëshmi për veprimin e tyre të papërgjegjshëm, të papjekur dhe jo të sinqertë ndaj qytetarëve dhe si pasojë e politikave të tilla edhe shumë gjatë do të mbesin në opozitë. (Meral Ismaili, TVM2)
