Muharremi: Po bëjmë çmos për ta luftuar korrupsionin
Në vitin 2020 të paktën 30 milionë euro....

Në vitin 2020 të paktën 30 milionë euro janë keqpërdorur nga buxheti i shtetit, tregojnë të dhënat e hetimeve të Drejtorisë së Policisë Financiare në Maqedoninë e Veriut, thotë drejtuesi i këtij institucioni, Arafat Muharemi për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, bëhet fjalë për raste që ndërlidhen me korrupsion të nivelit të lartë, dhe keqpërdorim të tenderëve për furnizime publike. Ndonëse në kushte pandemie për vitin e kaluar janë dorëzuar më shumë se 70 kallëzime penale ka deklaruar Muharremi.
“Këtë vit nuk mund të themi me saktësi se do të vërtetohet dëmi i njëjtë siç e kishim gjatë viti 2019. Për shkak të pandemisë vitin e kaluar kishim kufizime në terren, dalja ishte e zvogëluar. Megjithatë, të dhënat statistikore nga parashtresat e dorëzuara do të jenë diku mbi 70 kallëzime penale të dorëzuara. Shuma e tyre sigurisht do të jetë mbi 30 milion euro megjithatë shumën e saktë nuk mund ta themi sepse raporti vjetorë akoma nuk është miratuar në Qeveri.”,- deklaroi drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muharemi.
Lidhur me raportin e fundit të “Transparency International” Muharremi thotë se jemi të detyruar të thithim pluhurin e mbuluar ndër vite të cilin kemi filluar ta nxjerrim në sipërfaqe.
“Unë mendoj se tani ne po nxjerrim në dritë të gjitha aktivitetet e paligjshme të zyrtarëve. Mendoj se këto ishin të mbuluara dikur, siç themi ne “të fshehura nën qilim”, tani kur të dalë ai pluhur në sipërfaqe është normale që do të thithim pluhur.”,- tha drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muharemi.
Krahas kapaciteteve të kufizuara Drejtoria e Policisë Financiare po jep maksimumin në luftën kundër korrupsionit, ka theksuar Muharremi. (Naim Ramadani, TVM2)
