Covid-19 në nivel botëror, mbi 12 mijë të vdekur në 24 orët e fundit
Vazhdojnë të jenë të larta shifrat e pandemisë....

Vazhdojnë të jenë të larta shifrat e pandemisë në nivel global. Në 24 orët e fundit më shumë se 12 mijë e 400 persona humbën jetën në mbarë botën si pasojë e virusit Korona. Shtete e Bashkuara të Amerikës vijojnë të kenë numrin më të lartë të viktimave, por edhe të infektimeve.
Autoritetet amerikane raportuan për më shumë se 2900 jetë të humbura dhe mbi 100 mijë infektime. Meksika është gjithashtu një nga shtetet që po përballet me një situatë të vështirë me pandeminë dhe vijon të ketë një numër të lartë viktimash. Vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan më shumë se 1400 humbje jete. Përderisa përtej oqeanit shifrat mbeten të larta, në Europë vijon trendi i rënës. Edhe për këtë 24 orësh shifrat e jetëve të humbura dhe infektimeve ne shumicën e vendeve ishte në ulje.
Britania raportoi për 758 viktima dhe rreth 15 mijë infektime, ndërkohë që gjermania për 523 humbje jete dhe 9200 raste te reja, një shifër kjo dukshëm më e ulët sesa shifrat e regjistruara gjatë muajit janar.
Edhe në Itali u regjistruan shifra të ulëta infektimesh dhe viktimash. Autoritetet italiane të shëndetësisë raportuan 316 viktima dhe afro 14 mijë infektime. Japonia ka miratuar zyrtarisht përdorimin e vaksinës që prodhuesi farmaceutik BioNTech-Pfizer ka zhvilluar kundër COVID-19. Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies e cila më 12 shkurt ndezi “dritën e gjelbër” për vaksinën kundër COVID-19 të prodhuar nga BioNTech-Pfizer njoftoi se përdorimi lokal i saj është i përshtatshëm.
Vaksina e BioNTech-Pfizer për të cilën aplikimi u bë në dhjetor 2020, është vaksina e parë që miratohet në Japoni në kuadër të luftës kundër COVID-19. Kjo vaksinë është planifikuar të aplikohet në vend tek personat e moshës mbi 16 vjeç në dy doza me diferencë tri javore.
Me planin aktual, rreth 20,000 punonjës shëndetësorë në Japoni do të vaksinohen që nga e mërkura. Ndërsa të tjerë do të vaksinohen më pas. Ndërkohë, në Japoni brenda javës mbërritën pjesa e parë e vaksinave prej 400 mijë doza.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në nivel botërorë ka tejkaluar 108 milion njerëz, prej të cilëve rreth 61 milion janë shëruar, ndërsa mbi dy milion e 395 mijë njerëz kanë vdekur. (Sanije Duraku, TVM2)
