Tetovë, bora vështirësoi komunikacionin, sidomos në Malësi

14.02.2021 19:50

Reshjet e fundit të dëborës....

Reshjet e fundit të dëborës e kanë vështirësuar lëvizjen e qytetarëve kryesisht në vendet rurale, por edhe në qytetin e Tetovës. Banorët ankohen se rrugët kryesore janë të pastruara, ndërsa rrugët dytësore thuajse janë të paprekura, ata ankohen se edhe trotuaret ku më së shumti lëvizin qytetarët janë të papastruara, kërkojnë nga komuna e Tetovës të dalë në teren.

Pamjet që tregojnë në rrugët e Malësisë së Tetovës  duket se ekskavatori ka kaluar duke bërë të lëvizshme rrugën. Banorët nëpërmjet telefonit thonë se deri në fsh. Brodec rruga deri diku është e lëvizshme, por në dy fshatrat më lart, Veshallë dhe Bozofcë, situata është më kritike.

Situata nuk është më mirë edhe në Tetovë, banorët kërkojnë intervenime nëpër rrugët dytësore dhe trotuare.

“Aspak nuk jemi të kënaqur, a pastrim i thoni kësaj. Ne të rinjtë, por pleqtë çka bëjnë? Trotuaret pa pastruar, katastrofë. Nga komuna kërkojmë që të rregullojnë situatën.”,- tha një banor.

“Nuk janë rrugët të pastruara aspak, ne të rinjtë mund të ecim, por pleqtë nuk mund të ecin aspak. Edhe trotuaret janë katastrofë, komuna ne të dalë le t’i pastrojë rrugët pasi janë katastrofë.”,- theksoi një banor.

“Aspak, e shikoni edhe vetë sa janë të pastruara rrugët, shihet se nuk janë të pastruara.”,- u shpreh një banor.

Nga komuna e Tetovës nëpërmjet një komunikate me shkrim thonë se janë në teren dhe po punojnë në pastrimin e rrugëve. Thonë se reshjet e mëdha gjatë ditës së djeshme dhe mëngjesin e sotëm ua kanë vështirësuan punën, por sipas tyre të gjitha rrugët janë të kalueshme por në kushte dimri. (Visar Sadiki, TVM2)