ASh: RMV e Serbia, në këmbë për një kuti vaksinash

14.02.2021 20:36

Lidhur me vaksinat nga Serbia ka reaguar Aleanca për Shqiptarët....

Lidhur me vaksinat nga Serbia ka reaguar Aleanca për Shqiptarët, sipas të cilës për një kuti vaksina është ngritur në këmbë gjithë shteti serb dhe Maqedonia e Veriut. Sipas ASh-së, kjo kuti e vogël vaksinash nuk mjafton as për kabinetin e Zaevit e të partnerit të tij Ahmeti, por ajo që flet më shumë në këtë rast nuk është sasia e vaksinave, sa simbolika e donatorit.

“Ardhja e presidentit serb, Vuçiq, dhe pluhuri medial që është ngritur në Tabanoc, synon të japë mesazhin se “vëllai juaj i madh nuk iu braktis”.

Dhe, kjo nuk është problem për Zaevin, i cili edhe ashtu drejton një parti trashëgimtare të jugosllavizmit, por është shumë indikative heshtja e partisë shqiptare që para disa muaj desh përjetoi sulm në zemër nga rrahja e gjoksit për “kohën e kryeministrit të parë shqiptar”. A nënkupton heshtja e tyre miratim për “vllaznillëkun” Zaev-Vuçiq dhe a mos është kjo shprehje e dashurisë së hershme, si ajo e ministrit aktual të Financave për eprorët ushtarakë serbë?! Për koalicionin Aleanca për Shqiptarët & Alternativa është i qartë synimi i Vuçiqit, për të luajtur rolin e patronit ballkanik, por kjo – përveç që flet për një qeveri që i ka lënë qytetarët pa vaksina – njëherazi flet më shumë për (pa)fuqinë e kësaj qeverie për të ndërtuar partneritet perëndimor në politikat integruese dhe shëndetësore”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët duke shtuar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë të gatshëm për të pranuar një Jugosllavi të re.