Shqipëri, mot me temperatura të ulëta dhe borë
Shqipëria është në emergjencë nga reshjet dhe stuhitë e dëborës....

Shqipëria është në emergjencë nga reshjet dhe stuhitë e dëborës. Dhjetëra aksidente janë regjistruar në Lezhë, Durrës, Lushnjë dhe Sarandë. Fatale rezultoi për një paciente 71-vjeçare humbja e kontrollit të autoambulancës në autostradën Durrës-Tiranë, duke përfunduar në kanal.
Numër i madh fshatrash në Kukës, Dibër, Kurbin, Librazhd, Korçë dhe Gjirokastër u izoluan nga trashësia e dëborës. Si pasojë e motit të rënduar ka pasur mungesë energjie në qarkun e Kukësit dhe të Lezhës, por edhe në fshatin Vermosh, ku gjashtë turistë kanë kërkuar ndihmë pasi mbetën të bllokuar.
Më problematike mbetet Milot-Lezhë, ku ndonëse autoritetet thonë se kanë ndërhyrë për të normalizuar situatën, niveli i akullit në rrugë është i lartë duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Me dhjetëra automjete u bllokuan që pasditen e së shtunës në këtë aks dhe disa qytetarët e kaluan natën në makina, në temperatura nën 0 gradë, pasi borëpastrueset nuk u shfaqën për të lehtësuar situatën.
Problematike paraqitet situata edhe në Shkodër, për shkak të përmbytjeve. Trupat dhe mjetet e Forcave të Armatosura janë të angazhuara në zonën e nën-Shkodrës për të ndihmuar evakuimin e qytetarëve në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, të prekura nga përmbytjet. (Luljeta Ndoka, TVM2)
