Botë
Shqipëri, përmbytje nga shirat, 3 të vdekur
19.11.2014 16:42
Përmbytjet nga reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar në Shqipëri tre viktimat e para...
Babë e bijë janë rrëmbyer nga ujërat e shiut mbrëmjen e djeshme, duke humbur jetën në rrethin e Kurbinit. Ndërsa një i ri po në këtë zonë ka humbur jetën, pasi është rrëzuar te ura në të cilën ai po kalonte.
Situatë më problematike është paraqitur në zonën e Lezhës, aty ku ka zbarkuar ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ai i Bujqësisë, Edmond Panariti.
Zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, i cili ndodhet në krye të Grupit të Emergjencës për Përballimin e Situatës, pasi ka ngushëlluar familjet e viktimave për humbjen e rëndë, ka folur mbi situatën në zonat e përmbytura.
Gjatë ditës së sotme, situata është paraqitur më e normalizuar, por shqiptarët luten që të mos ketë më reshje, pasi banesat e tyre rrezikojnë të dalin jashtë përdorimit.
E gjithë situata kritike është krijuar pas vetëm pak orë reshjesh, çka tregon për infrastrukturën e dobët të kanaleve të kullimit.
LULJETA NDOKA
