Botë
Më 19 shkurt mblidhet G7, do të diskutojë për shpërndarjen e vaksinave
15.02.2021 10:49
Më 19 shkurt udhëheqësit e G7-ës do të takohen për të diskutuar për pandeminë e koronavirusit...

Më 19 shkurt udhëheqësit e G7-ës do të takohen për të diskutuar për pandeminë e koronavirusit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë botërore, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Kjo do të jetë hera e parë që presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet me liderët e grupit të vendeve më të fuqishme të botës. Ai e mori detyrën e presidentit më 20 janar. Presidenti Biden do të fokusohet në vërejtjet e tij në lidhje me prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave në nivel global, tha Shtëpia e Bardhë. Mikpritës i takimit do të jetë kryeministri britanik, Boris Johnson, ka njoftuar zyra e tij, duke thënë se temë kryesore do të jetë shpërndarja e barabartë e vaksinave në botë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë më herët se një politikë “unë e para” ndaj vaksinave, nga ana e vendeve të pasura, mund të lërë vendet e varfëra në rrezik të mungesës së vaksinave.
Sipas OBSH-së kjo politikë mund të mundësojë përhapjen e koronavirusit. Kryeministri Johnson gjithashtu do të bëjë thirrje që vendet e G7-ës të punojnë në një qasje globale ndaj pandemive. G7 përbëhet nga Britania e Madhe, Gjermania, Kanadaja, Franca, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. Liderët takohet çdo vit për të diskutuar problemet me të cilat ballafaqohet bota. Samiti i vitit të kaluar, i cili do të organizohej nga Shtetet e Bashkuara, u anulua për shkak të pandemisë. Liderët do të diskutojnë edhe për ndryshimin e klimës.
