Botë
Hagë, seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së
16.02.2021 10:46
Mbahet sot konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit...

Mbahet sot konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit.
Ndërkohë Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me konferencën e tretë ka kërkuar sërish që fillimi i gjykimit të jetë në shtator të vitit 2021. Sipas tyre, koha e përcaktuar lejon për shumë muaj përgatitje të mbrojtjes dhe hetim paraprak për një çështje të përcaktuar qartë. Në të njëjtën shkrese Zyra e Prokurorit të Specializuar thekson se “mbrojtja në mënyrë të përsëritur ka theksuar se përcaktimi i një afati të shkurtër kohore është përpjekje për të minuar një gjykim të drejtë, duke pretenduar se gjyqi nuk mund të fillojë për një minimum prej 18 muajsh nga fillimi i 2021, dhe me gjasë edhe më i gjatë”. Të gjithë zyrtarët më të lartë të Kosovës, akuzohen për arrestim të paligjshëm, vrasje dhe torturë, të cilat konsiderohen si krime lufte. Në aktakuzën e publikuar shkruhet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të një viti më vonë, në Kukës dhe Cahan janë kryer krime ndaj qindra civilëve që nuk ishin pjesë e luftës së UÇK-së.
