USHT, me rezultate pozitive gjatë evaluimit të brendshëm

19.11.2014 16:52

Komisioni Qendror për Evaluim të Brendshëm i Universitetit Shtetëror të Tetovës, ka publikuar raportin e rezultateve të arritura për evaluimin e brendshëm për vitin akademik 2013/2014......

Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Arbër Çeliku, njëherit edhe kryetar i Komisionit për Evaluim, ka deklaruar se ato përkojnë me pritshmëritë e universitetit në ngritjen e cilësisë së studimeve në USHT.

“Rezultatet e arritura përkojnë me  pritshmëritë e Universitetit Shtetërorë të Tetovës, sa i përket evaluimit të brendshëm dhe ngritjes së cilësisë së USHT-së.  Evaluimi i brendshëm është realizuar gjatë muajit mars të vitit 2014 në të gjitha njësitë e USHT-së, që përfshihen fakultetet, programet studimore, studimet e disperzuara etj. Është evaluuar procesi i mësimdhënies, është evaluuar procesi i notimit, është evaluuar procesi i shërbimit administrativ dhe është evaluuar procesi i vetperceptimit apo procesi i vetreflektimit studentor. Mund të them se ky proces është shumë jetik për Universitetin Shtetëror të Tetovës, është në përputhje me ligjin dhe me ndryshimet e Ligjit për Arsim të Lartë në Republikën e Maqedonisë”- deklaroi prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i USHT-së, prof.dr. Arbër Çeliku.

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i USHT-së, Arbër Çeliku, tha se procesi i evaluimit mbi të gjitha ka një impakt shumë të rëndësishëm për komunitetin studentor dhe atë akademik, sepse nxjerr në pah jo vetëm tërë sukseset dhe të arriturat, por edhe mangësitë dhe ngecjet, që mund t’i përkasin komunitetit akademik dhe shërbimeve administrative. (Miftar Emini, TVM2)