Maqedoni

Ambasada e Kosovës, mirënjohje post-mortum për Enver Maliqin

16.02.2021 14:12

Në shënimin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj....

Në shënimin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka ndarë mirënjohje post-mortem për biznesmenin nga Shkupi, Enver Maliqi, i cili ndërroi jetë më 30 nëntor të vitit të kaluar nga Kovid-19. Ambasadori Dedaj me këtë rast theksoi se biznesmeni i mirënjohur, Enver Maliqi, ka dhënë kontribut të madh në biznes dhe humanizëm në të gjitha trojet shqiptare. 
 
“Ka bërë një afarizëm shumë të suksesshëm edhe në Kosovë, Shqipëri dhe në rajon. Ka qenë një figurë jo vetëm biznesmen e afarist i shkëlqyeshëm dhe i suksesshëm, por mbi gjithë atë ka qenë një altruist, humanist dhe familjar i shkëlqyeshëm.”,- tha ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj.
 
Alban Maliqi: Kjo është mirënjohja më e madhe për babin
 
Kjo mirënjohje është më me vlerë nga të gjitha, vlerësoi Alban Maliqi - djali i Enver Maliqit. 
 
“Për ne si familje është shumë e vlerësueshme, sigurisht që mund të them edhe në emër të babës i cili nuk jeton më. Unë e di një gjë se të gjitha mirënjohjet që i ka marrë në jetë, qoftë për humanizëm apo për biznes, jam i sigurt se kjo do të kishte zënë vendin para gjithash.  Sepse ai vetë ka qenë kosovar, babën nga Gjakova dhe nënën nga Gjilani. Ne jetojmë këtu, por me zemër gjithmonë në Kosovë.”,- u shpreh djali i Enverit Maliqit, Alban Maliqi.
 
Dedaj ka njoftuar se Ambasada e Kosovës në Shkup nuk ka organizuar manifestim me rastin e 17 shkurtit - Ditës së pavarësisë së Kosovës, për shkak pandemisë. 


REJHANE BUSHI METAJ