Botë
Kovid-19, brenda javës një milion të infektuar në Evropë
16.02.2021 14:31
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Evropë është regjistruar rënie e numrit të personave të infektuar

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Evropë është regjistruar rënie e numrit të personave të infektuar nga virusi korona gjatë 4 javëve të fundit edhe pse frika për përhapjen e varianteve të reja mbetet e madhe. Megjithatë shifrat mbeten të larta pasi mbi një milion raste janë regjistruar brenda një jave.
Ndërkohë shkencëtarët në universitetin e Edin Burgut kanë zbuluar edhe një variant të ri të virusit korona në Britani të madhe, i cili është përhapur në 10 vende të botës, numri më i madh i të cilëve në Danimarkë ku janë regjistruar 35 raste, në Britani 32, në Nigeri 12, në SHBA 7, në Francë 5, në Ganë 4, në Australi, Kanada dhe Jordan nga dy raste dhe një rast në Spanjë. Në dhjetor të vitit të kaluar në Britani u zbulua variant i ri i virusit i cili vlerësohet se përhapet për 70% më shpejtë. Ndërkohë Britania ka nisur zbatimin e karantinës nëpër hotele. Të gjithë qytetarët britanikë dhe ata irlandezë, si dhe ata me lejeqëndrime, që shkojnë në Britani të Madhe pasi kanë qenë në ndonjë shtet me rrezik të lartë të virusit korona, tani duhet të vetizolohen nëpër hotele. Kufizimet e reja, të cilat synojnë të ndalin përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit në Britani, zbatohen për ata që kanë qenë në 33 vendet e renditura në listën me rrezik të lartë, në 10 ditët e fundit. Ata duhet të paguajnë paraprakisht 1,750 funta për të kaluar 10 ditë nëpër hotelet e kontraktuara nga qeveria.
Ndërkohë në bazë të një studimi në Austri njerëzit që kanë qenë të infektuar nga virusi korona kanë 91% më pak rrezik nga infektimi në 7 muajt e ardhshëm. Imuniteti I tyre është për 4% më i ulët se sa vaksinat e Fajzer, që do të thotë se të infektuarit nga Kovid-19 janë të mbrojtur aq sa edhe personat e vaksinuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë dha dritën jeshile për përdorimin emergjent të një vaksine kundër virusit korona, të prodhuar nga kompania farmaceutike AstraZeneca, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Kjo është vaksina e dytë që autorizon OBSH-ja, pas autorizimit të vaksinës Pfizer/BioNTech në muajin dhjetor. Pritjet tani janë që vendet që kanë aplikuar për vaksina në skemën COVAX, të nisin të marrin dozat e para. Virusi korona ka infektuar mbi 109 milionë njerëz në të gjithë botën, ndërsa mbi 2.4 milionë prej tyre kanë vdekur.
GYLTENE SINANI
