Maqedoni
Plani aksional, Osmani: Drejt finalizimit, parashikon qasje racionale
16.02.2021 14:55
Plani aksional i Maqedonisë së Veriut për tejkalim të ndasive me Bullgarinë është drejt finalizimit...

Plani aksional i Maqedonisë së Veriut për tejkalim të ndasive me Bullgarinë është drejt finalizimit, ka deklaruar Ministri për Punë të Jashtme Bujar Osmani. Kanë mbetur të definohen edhe detajet teknike të kohëzgjatjes së projekteve, pasi plani I veprimit do të shtrihet në bashkëpunim midis ministrive të dy vendeve në sektorë të ndryshëm. Sipas Osmanit synohet qasje racionale dhe kthim të besimit midis dy vendeve që dialogu maqedono – bullgar të ec përpara.
“Përderisa ekzistojnë ato ndasi, ne duhet të vazhdojmë bisedimet dhe s’duhet të lejojmë që kjo të shndërrohet në një konflikt të ngrirë i cili vetëm se do të përkeqësojnë besimin dhe gjetjen e zgjidhjes. Qasja ime është të komunikohet, por tani të vëmë theksin atje ku kemi më pak ndasi, pasi që ato sektorë s’duhet të jenë viktimë e ndasive. Të krijojmë bazën e besimit që më pas më lehtë të bisedojmë edhe për çështjet të cilat ngërthejnë në vete më shumë emocione. Qasja që të bisedohet vetëm për këto tema, dëshmoi se është më e komplikuar.”,- deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Mickovski: të zbardhen detajet e aktiviteteve
Kreu I VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka ftuar pushtetin të zbardh detajet e planit të veprimit, pasi sipas tij mund të vijojnë procese në dëm të shtetit.
“Opinioni maqedonas meriton të di se cili është ai plan i aktiviteteve, pasi që nga fillimi po themi dokument i ri, ankesë marrëveshje, memorandum mirëkuptimi dhe se di se si do ta quaj Zaev, Dimitrov dhe Osmani. Sipas informacioneve tona përskaj çështjeve identitare që përfshijnë traditën, historinë, gjuhën maqedonase, veprimtarët dhe revolucionarët, ka edhe çështje biznesi që janë në tavolinë. Kur dyshja Buçkovski – Zaev negociojnë atëherë përgatitet katastrofë e re nacionale dhe cunami ekonomik.”,- u shpreh kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Por ministri Osmani thotë se definimi i planit aksional do të jetë një bazament i mirë për thirrjen e konferencës së dytë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ndërkohë, do të vijojë edhe caktimi i datës së takimit Osmani Zaharieva.
MERAL ISMAILI
