Maqedoni
Shkup, shënohet 20 vjetori i fillimit të luftës së UÇK-së
16.02.2021 15:17
Ish luftëtarë të UÇK-së, familje të dëshmorëve, ish komandantëve të brigadave, invalidëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare...

Ish luftëtarë të UÇK-së, familje të dëshmorëve, ish komandantëve të brigadave, invalidëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe zyrtarë të institucioneve vendosën kurora lulesh në nderim të Dëshmorëve të UÇK-së. Ky vit jubilar që shënon edhe fillimin e betejave për të drejtat kombëtare për shkak të pandemisë nga këshilli organizativ theksuan se nuk mund të mbahen organizime të tjera solemne.
“I përkujtojmë gjithë ato të cilët kanë rënë për një jetë më të mirë për shoqërinë shqiptare. Është një vit jubilar prandaj për arsye të pandemisë bashkë me bashkëluftëtarë përfaqësues të institucioneve kemi vendosur të vendosim lule pranë Shqiponjës këtu në Çair.”,- deklaroi ish luftëtari, Ejup Alimi.
“Do ta vazhdojmë atë që kemi nisur vite më parë, sepse kjo është një histori e re dhe unë atëherë isha i ri, vetëm 11 vjeç dhe sot e kam kënaqësinë dhe jam krenar që po marrë pjesë në një organizim të tillë për të nderuar dëshmorët e kombit, për ato dhanë jetën që unë sot ta vazhdoj amanetin për një jetë më të mirë për ne si shqiptar.”,- tha Fuat Beqiri, kryetar i Këshilli Organizativ për shënimin e 16 shkurtit.
“Kuptohet që këtu ne si komunë çdo vit jemi pjesëmarrës në organizime të kësaj ceremonie, të kësaj date të rëndësishme për popullin tonë. Do të shkojmë t’i vizitojmë edhe pllakat tjera përkujtimore dhe varrezat, konkretisht vizita e parë do të jetë në Tanush.”,- tha kryetari i komunës, Visar Ganiu.
Dita e shënimit të fillimit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare është manifestim tradicional që organizohet nga SHV-UÇK-së Shkup me qëllim që të kujtohet lufta e e UÇK-së e cila filloi më 16 Shkurt të vitit 2001 në anën e Karadakut dhe në Tanushë të Shkupit. Më 16 shkurt 2001 forcat speciale maqedonase sulmuan fshatin Tanushë dhe në këtë betejë bie Dëshmori i parë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Muzafer Xhaferi.
ZEKIRJA MEXHITI
