Maqedoni
RMV, nesër fillon vaksinimi i personelit mjekësorë
16.02.2021 15:44
Të mërkurën në orën 10 do të fillojë vaksinimi anti Kovid në vend....

Të mërkurën në orën 10 do të fillojë vaksinimi anti Kovid në vend. Vaksinimi do të nisë me punëtorët shëndetësorë në spitalin modular në Klinikën Infektive në Shkup, në katër pika të vaksinimit. Mjekët e spitalit modular thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vaksinimit.
“Ne jemi të gatshëm për vaksinim, sot u bënë përgatitjet e fundit. Në mëngjes do të sillet vaksina dhe ne do të nisi vaksinimin. Në 15 minuta do të kemi nga 6 pacientë. Tani i kemi listat e personave për vaksinim si dhe ekipet për vaksinim, do të vaksinojmë në dy ndërrime. Ka edhe pacientë që kanë caktuar termine.”,- tha infermiere.
Vaksinimi i personelit mjekësor fillon me donacionin e vaksinave nga Serbia, prodhim i Kompanisë “Fajzer”, ndërsa qytetarët do të duhet të presin arritjen e vaksinave kineze të Kompanisë “Sinofar”, të cilat pritet të arrijnë deri në fund të muajit. Për t’u vaksinuar qytetarët duhet të regjistrohen në ueb-faqja “vaksinacija.mk”, e cila funksionon edhe në gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë, ata regjistrohen në sistemin elektronik “Termini im”, kurse mjeku amë mund t`i sheh të dhënat për çdo pacient. Sistemi “Termini im” konstaton datën dhe orën për vaksinim konform fazave të Planit Kombëtar për imunizim të popullsisë.
Raporti javor i ISHP-së për Kovid-19: Rritet numri i të infektuarve, më pak të vdekur
Ndërkohë, sipas raportit javor të Institutit të Shëndetit Publik në periudhën prej 8 deri më 14 shkurt nga 16 mijë e 299 të testuar, janë regjistruar dy mijë e 232 të infektuar apo 5,3%, më shumë në krahasim me një javë më parë. Përqindja e të infektuarve ka arritur nga 6,8 deri në 16,6% në ditë, apo mesatarisht brenda javës 12,9%. Po ashtu janë regjistruar edhe dy mijë e 519 persona të shëruar apo 24,2% më pak se një javë më parë. Brenda javës janë regjistruar edhe 43 raste të vdekjes që shënon ulje për 34,8%, në krahasim me një javë më parë. Numri i rasteve aktive me Kovid-19 aktualisht sillet në rreth 6 mijë person, prej të cilëve 608 pacientë janë në trajtim spitalorë në qendrat Kovid në vend.
GYLTENE SINANI
