Botë
Biden i shkroi Osmanit: Mezi presim të punojmë me qeverinë e re
16.02.2021 18:09
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar një telegram urimi presidentes, Vjosa Osmani...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar një telegram urimi presidentes, Vjosa Osmani, për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Në letër presidenti amerikan shpreh gatishmërinë për të punuar me qeverinë e re të Kosovës në rrugën e integrimit evropian.
“Ka ende shumë punë për të bërë, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë e fokusuar në njohjen e ndërsjellë, që fuqizon sundimin të ligjit, përballjen me pandeminë dhe nxitjen e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit Biden drejtuar Osmanit, me rastin e 17 shkurtit Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Në letër, presidenti Biden po ashtu thekson se lidhjet mes njerëzve të të dyja vendeve mbeten të fuqishme, bazuar në angazhimin e përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës si një vend sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik.
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje. Ndërkaq për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës",- thuhet në letrën e presidentit amerikan, të cilën e ka bërë publike presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, e cila është shprehur mirënjohëse për mbështetjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Po ashtu gjatë ditës ambasadori amerikanë në Prishtinë, Philip Kosnett, ka takuar fituesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë Albin Kurtin dhe ushtruesen e detyrë së presidentes Vjosa Osmani, me ç’rast është theksuar nevoja për formimin e shpejtë të qeverisë së re të Kosovës, e cila pritet të udhëhiqet nga Albin Kurti, pasi Vetëvendosje ka fituar bindshëm zgjedhjet e 14 shkurtit.
Siç njoftojnë nga Lëvizja Vetëvendosje Kurti është cituar t’i ketë theksuar se në të ardhmen Kosova do të ketë mundësi të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara në projekte që ndihmojnë shtet-ndërtimin demokratik, zhvillimin ekonomik të vendit dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve.
REJHANE BUSHI METAJ
