Lëshohet në përdorim rruga Haraçinë-Bërnjancë
Problemi i rrugës, e cila lidh Haraçinën dhe fshatin Bërnjancë, prej sot nuk do të jetë më i pranishëm për banorët e kësaj ane, sepse kërkesa e kamotshme për asfaltimin e kësaj rruge tashmë është bërë realitet.......

Në praninë e autoriteteve komunale, si dhe përfaqësuesve të ekzekutivit, sot edhe solemnisht u bë inaugurimi dhe lëshimi në përdorim i rrugës së asfaltuar.
“Kjo rrugë përfshin gjatësi prej 800 metrave dhe financimi i rrugës është bërë nga komuna dhe Byroja për Zhvillim, diku rreth 1 milionë e 400 mijë denarë ka financuar Byroja për Zhvillim, ndërsa 2 milionë e 400 mijë komuna”- deklaroi kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, tha se vazhdon të bashkëpunojë me Pushtetin Lokal për realizimin e projekteve infrastrukturore në shërbim të qytetarëve.
“Do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, kushtimisht sa është mundësia dhe hapësira buxhetore, por me rëndësi është që kjo t’u shërbejë qytetarëve, që të kenë një jetë më të mirë, të komunikojnë më lehtë dhe të rregullohet standardi jetësor i tyre”- tha zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
Ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, tha se nuk është vetëm Haraçina vendi të cilit i ndihmon kjo ministri, por të gjitha komunave të Maqedonisë.
“Kjo rrugë është me iniciativën e kryetarit të komunës. Ne si Ministri e Pushtetit Lokal e kemi pa të arsyeshme të ndihmojmë me ndihma konkrete, këtë punë e bëjmë me të gjithë kryetarët e tjerë të komunave”- u shpreh ministri i Pushtetit Lokale, Lirim Shabani.
Qytetarët shprehen të kënaqur me realizimin e kërkesës së tyre.
“Përfundimisht, baltën dhe pluhurin ia lamë të kaluarës. Ne e kemi zgjidhur një problem të kamotshëm”- theksoi një qytetar.
Kreu i Komunës, Brahim Ajvazi, e pranon se një rrugë prej 800 metrave nuk është e mjaftueshme për një komunë me rreth 15 mijë banorë, por ai shprehet se në një të ardhme të afërt do të asfaltohen edhe pjesë të tjera në këtë komunë. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
