Lavrov: SHBA-të dhe BE-ja, “fajtorë” për krizën në Ukrainë
Rusia ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për krizën në Ukrainë, duke thënë se konflikti atje është produkt i 25 vjetëve të zgjerimit egoist perëndimor..........

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duke iu adresuar Dhomës së Ulët të Parlamentit ka thënë se Perëndimi “duhet të mbështesë procesin e marrëveshjeve reciprokisht të pranueshme, në vend se të mbështesë palën luftuese në Kiev, duke mbyllur sytë ndaj shkeljeve të egra të të drejtave të njeriut, mungesës së ligjit dhe krimeve të luftës”.
“Të gjitha veprimet e autoriteteve të Ukrainës në lindje të Ukrainës reflektojnë një dëshirë shumë të fortë të palës luftuese në Kiev, për të bërë gjithçka të mundur që të përjashtojë milicinë, që të përjashtojë “Republikën Popullore të Donjeckut” dhe “Republikën Popullore të Luhanskut” nga pjesëmarrja në procesin negociues. Moska nuk është e përfshirë në konfliktin e armatosur midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë, nga i cili qysh në muajin prill, janë vrarë mbi 4,100 luftëtarë dhe civilë. Konflikti është një çështje e brendshme e Ukrainës dhe se të gjitha përpjekjet për ta bërë Rusinë palë në konflikt janë kundërproduktive”- deklaroi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Fjalimi i tij vjen një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka përdorur fjalë dhe ka bërë veprime kundër Perëndimit për të forcuar kontrollin e tij mbi vendin, ka thënë se Shtetet e Bashkuara “duan ta nënshtrojnë Rusinë” dhe t’i zgjidhin problemet e tyre “në kurriz” të Rusisë.
Lavrov, po ashtu ka thënë se nuk ka asnjë alternativë për bashkëpunim midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian, i cili për kohë të gjatë ka qenë partneri i saj më i madh tregtar. Ai ka fajësuar BE-në për tensionet dhe ka thënë se marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin duhet të bazohen në konceptin e barazisë. (Valbon Bexheti, TVM2)
