Botë

Kosova, 13 vjet shtet, nderohen ata që kontribuan për pavarësinë

17.02.2021 10:36

Ishte ora 15:39 e së dielës së 17 shkurtit 2008, kur në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë....

Ishte ora 15:39 e së dielës së  17 shkurtit 2008, kur në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë. Nga ai çast, Kosova u shpall e pavarur e në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri. Ky përvjetor e gjeti obeliskun Nju Born me ngjyrat e ushtrisë së Kosovës, në nder të UÇK dhe në mbështetje atyre që ndodhen në Hagë dhe atyre që kanë rënë për luftën e vendit. Dëshmorët u nderuan nga qytetarë të shumtë edhe në kompleksin memorial në Prekaz. Edhe politikanët nderuan arkitektin e pavarësisë ish presidentit Ibrahim Rugova familjen Jashari në Prekaz.

"Bashkërisht e nderojmë vendin që është ikonë e lirisë. Vendin ku prehen komandanti legjendar Adem Jashari dhe gjithë familja Jashari që janë simbol i sakrificës sublime të luftës së popullit shqiptar për liri. Është vendi ku çdo ditë do t’ia përkujtojmë vetes dhe botës se këtu gjenden dëshmitë e gjenocidit serb, dëshmitë e qëllimit të Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar.", tha Vjosa Osmani, U.d. Presidente e Kosovës.
 
"Vendi që na përkujton se sa i lartë është çmimi i lirisë dhe se sa të privilegjuar jemi ne që jetojmë e festojmë 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë. …Duke u rikthyer këtu ne bëjmë më të fuqishëm shtetndërtimin demokratik, zhvillimin socio-ekonomik, e drejtësinë instucionale, sepse i tillë është amaneti i dëshmorëve dhe dëshira e nevoja e qytetarëve.", tha Albin Kurti, Kandidat për kryeministër të Kosovës.
 
"Duke bërë nderime në këtë vend që është akti themeltari i Republikës së Kosovës që është projekti më i madh 30 vjeçar që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e këndej i fuqizimit të kombit shqiptar me shpalljen e Kosovës shtet ne u bëmë pjesë e familjes euro-atlantike.", tha Avdullah Hoti, Kryeministër në detyrë i Kosovës.
 
13-vjetori i pavarësisë së Kosovës, shqiptarët e veriut ndjehen të diskriminuar
 
Por përvjetori i 13-të i Pavarësisë së Kosovës nuk po shënohet me atmosferën e njejtë edhe në veri. Shqiptarët atje ndjehen të diskriminuar dhe akuzojnë institucionet se nuk kanë punuar sa duhet për ta. 
 
"Një numër I madh i shqiptarëve jetojnë edhe në qendër të qytetit, por nuk kanë llogjikisht mundisnë të festojnë atje ku ka shumicë serbe... 
 
"Ju e dini që ne nuk guxojmë të festojmë. Është dashur të interesohen më shumë për veriun"... 
 
"Për ne shqiptarët e veriut, nuk ka pavarësi në këtë pjesë"...
 
"Edhe pas 13 viteve pavarësi, Kosova ka probleme serioze të shtrirjes së sovranitetit edhe në veri.", thanë qytetarët.
 
Kosova, 13 vjet shtet, njohja e pavarësisë nga 117 shtete 
 
Kosova aktualisht njihet nga 117 shtete. I pari  që e njohu pavarësinë ishte  Republika e Kostarikës, pikërisht ditën që Kosova  shpalli pavarësinë. Një ditë më pas, pavarësinë e njohën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Shqipëria, Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania, Turqia, dhe 19 shtete të tjera. Shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës është Izraeli.
 
MERITA GASHI