Përkatësia etnike në letërnjoftime, Pendarovski: Jam kundër, por do dekretoj ligjin
Propozimi për shënimin e përkatësisë etnike në letënjoftime....

Propozimi për shënimin e përkatësisë etnike në letënjoftime ka hapur debat mes subjekteve politike por edhe mes institucioneve.
Presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski konsideron se shënimi I përkatësisë etnike në letërnjoftime nuk është parktikë e njohur ndërkombëtarisht dhe ai personalisht është kundër por do të respektojë vullnetin e shumicës së deputetëve nëse Ligji miratohet me procedurë të rregullt, dhe do ta dekretojë atë.
“Personalisht nuk pajtohem që përkatësia etnike të qëndrojë në letërnjoftime. Nuk ekziston shtet demokratik në botë në të cilën qëndron përkatësia etnike apo fetare. Mua nuk më pengon, nuk mendoj se ai Ligj, nëse miratohet në atë mënyrë, do ta shpartallojë shtetin, as që do të ketë pasoja negative. Personalisht nuk pajtohem, por nëse e votojnë në atë formë, unë do ta dekretojë edhe pse nuk pajtohem që ai detaj të qëndrojë në letërnjoftime”, tha Pendarovski në intervistë për MKD.mk
Ahmeti: Do përkrahim versionin më të mirë
As kreu i BDI-së Ali Ahmeti nuk i jep ndonjë rëndësi këtij detaji në letërnjoftim. Pas ezaurimit të debatit rreth kësaj çështje do të marrin qëndrim.
“Është një çështje që është në prtoces të institucioneve dhe ne e mbështesim të gjithë atë që do vlerësohet si më e mira.” – u shpreh Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nikolloski: Zaev pengon shënimin e përkatësisë
Ndërkaq, VMRO DPMNE përkrah idenë që në letënjoftim të shënohet edhe përkatësia etnike. Por, kushtëzon miratimin e këtij ligji me amendamentin që në letërnjoftim të mos shënohet emri i ri shtetit.
“Zoran Zaev përmes partnerëve të tij formal dhe joformal nuk lejon të miratohet ligj me të cilin në letërnjoftime do të mund të shënohet psh. Aleksandar Nikolloski, shtetësia maqedonase dhe përkatësia etnike, maqedonas.” – theksoi Aleksandar Nikolloski i VMRO-DPMNE-së.
Në fakt, kryeministri Zaev nuk është deklaruar kundër shënimit të përkatësisë etnike në letërnjoftim por kundër propozimit të VMRO DPMNE-së për shënimin e emrit të vjetër Republika e Maqedonisë.
Me propozimin e Lëvizjes BESA ka rënë dakord edhe opozita shqiptare, mirëpo propozimin e ka bllokuar ‘E Majta” me mbi 1200 amendamente. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
