Botë

Covid-19, vazhdon përhapja e llojit britanik

18.02.2021 13:44

BE ka siguruar edhe 350 milion doza të vaksinës kundër Covid-19.....

BE ka siguruar edhe 350 milion doza të vaksinës kundër Covid-19. Kompania Pfizer/Biontech do t’i sigurojë 27 vendeve të bllokut 200 milion doza vaksinash dhe mbetet si mundësi e hapur edhe furnizimi me 100 milion doza të tjera. Siç ishte paralajmëruar më herët, 75 milion nga 200 milion dozat e Pfizer do t’u dorëzohen vendeve anëtare të BE-së në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa pjesa tjetër pas korrikut. Edhe kompania Moderna do ta rrisë furnizimin me 300 milion doza shtesë, gjysma e të cilave do të shpërndahen këtë vit, ndërsa gjysma tjetër vitin e ardhshëm. Në total, Pfizer pritet të shpërndajë rreth 500 milion doza, ndërsa Moderna 360 milion doza brenda vitit 2021.
 
Ne BE deri tani 22.5 milion qytetare kanë marrë një dozë të vaksinës, krahasuar me 16 milion qe janë vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë bëhet e ditur se Britania e Madhe do të infektojë qëllimisht me patogjenin njerëz pjesëmarrës në testin e parë për ta kuptuar më mirë virusin Korona. Kërkohen deri në 90 vullnetarë midis moshës 18 dhe 30 vjeç. Ata do të ekspozohen ndaj virusit në një "mjedis të sigurt dhe të kontrolluar". Projekti është planifikuar të fillojë në javët e ardhshme. Autoritetet duan të zbulojnë se si reagon sistemi i imunitetit ndaj virusit, sa e madhe duhet të jetë ngarkesa virale për një infektim dhe si i lëshojnë në mjedis grimcat e virusit të infektuarit. Studimi pritet të luajë një rol qendror në zhvillimin e vaksinave dhe medikamenteve kundër COVID-19.
 
Por në Gjermani, studimet "Sfida Njerëzore" për virusin korona konsiderohen të pamundura. Shoqata e Kompanive Farmaceutike që zhvillojnë kërkime  i hodhi poshtë në vjeshtë teste të tilla si jo etike. Por virusi i lloit britanik po përhapet me shpejtësi në Gjermani, paralajmëroi ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.
 
Shtetet e Bashkuara në 24 orët e fundit kanë raportuar për 68 mijë e 419 raste të reja me Covid-19, ndërsa janë raportuar edhe  2 mijë e 366 viktima. Presidenti Joe Biden ka parlajmëruar se vendi do të ketë më shumë se 600 milionë doza vaksinash të mjaftueshme për të vaksinuar “çdo amerikan” deri në fund të korrikut.  Deri më tani shifra e të infektuarve me Covid-19 në gjithë botën ka arritur në mbi 110 milion të infektuar prej të cilëve 2 milion e 441 mijë e 480 njerëz kanë humbur jetën. 
 
 
GYLTENE SINANI