Maqedoni

Mjekët e vaksinuar: Nuk ndjejmë asnjë simptomë nga vaksina

18.02.2021 14:44

Në spitalin modular vazhdon vaksinimi anti Kovid për personelin mjekësor...

Në spitalin modular vazhdon vaksinimi anti Kovid për personelin mjekësor. Të mërkurën u vaksinuan 202 persona. Ata që marrin dozën e parë menjëherë u caktohet termin për dozën e dytë. Të vaksinuarit thonë se po ndjehen mirë dhe apelojnë tek qytetarët që të mos ngurrojnë të vaksinohen sapo t’u jepet mundësia. 
 
“Tani për tani nuk kam asnjë simptomë, shumë mirë janë të organizuar, benefitet e vaksinës janë të njohura. Vaksina është pranuar në tërë botën. Numri i të vaksinuarve në botë është i madh, ashtu që vlerësoj se duhet të vaksinohen të gjithë pasi që ofron mbrojtje të madhe.”,- tha një mjeke që u vaksinua.
 
“Profesioni ynë si otorolaringolog është i ekspozuar në rrezikun e infektimit. Sa më shumë vaksinim të kemi aq më shumë popullatë të shëndetshme do të kemi.”,- theksoi një mjeke që u vaksinua.
 
“Duhet të merret vaksina, kjo është mundësi e vetme të mbrohemi.”,- u shpreh një mjeke që u vaksinua.
 
“Sëmundja është e rëndë, disa kalojnë më lehtë, por disa shumë rëndë, prandaj me vaksinim të paktën një vit mund të jemi të qetë.”,- deklaroi një mjeke që u vaksinua.
 
Ministria e Shëndetësisë: Mbi 85.000 qytetarë u paraqitën për vaksinim
 
Vaksinimi i personelit mjekësor po realizohet me 4,680 vaksinat e kompanisë “Pfajzer” - donacion nga Serbia, e cila ka premtuar gjithsej 8,000 vaksina. Përveç sasi të tjera nga Serbia, deri në fund të muajit pritet të arrijnë edhe 200,000 vaksinat nga Kina, kur do të fillojë edhe vaksinimi i kategorive të rrezikuara, përfshi edhe të moshuarit mbi 70 vjeç.
 
Deri tani interesim për t’u vaksinuar kanë paraqitur 85 mijë persona. Përmes ueb faqes “Vakcinacija.mk” kanë aplikuar 55 mijë e 970 persona të cilët janë të interesuar për të marrë vaksinën kundër Covid-19. Siç informojnë nga Ministria e Shëndetësisë përmes mjekut amë për vaksinim janë paraqitur 29 mijë e 209 persona, prej këtyre 38 mijë persona janë mbi moshën 70 vjeç të cilët dëshirojnë të vaksinohen. 
 
GYLTENE SINANI