Maqedoni
Qeveria dhe UNShM arritën marrëveshje për maturën shtetërore
18.02.2021 15:16
Arrihet marrëveshje mes Qeverisë dhe Unionit të Nxënësve të shkollave të mesme për maturën shtetërore....

Arrihet marrëveshje mes Qeverisë dhe Unionit të Nxënësve të shkollave të mesme për maturën shtetërore. Sipas kësaj marrëveshje, matura shtetërore do të ketë dy provime eksterne, derisa provimi i tretë do të jetë intern. Po ashtu është rënë dakord të formohet edhe një grup pune mes Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, për të definuar çështjet, deri në fund të marsit. Marrëveshjen e konfirmuan kryeministri, Zoran Zaev, dhe Blendi Hodai nga Unioni i Nxënësve.
“Nga rezistenca jonë e treguar fituam vëmendjen e institucioneve arsimore dhe të kryeministrit për të gjetur një kompromis të përbashkët që kënaq kërkesat tona e që nuk e cenon sistemin. Pra, e ruan cilësinë në arsim dhe në të njëjtën kohë mbron interesat e nxënësve. Qeveria dhe kryeministri Zaev ka pranuar këto kërkesa si pjesë e një kompromisi të përbashkët. Ne ramë dakord që numri i provimeve eksterne të mbetet dy sipas kërkesës tonë të parë, ndërsa provimi i tretë ekstern të transformohet në intern. Kështu asnjë maturant nuk do të ketë problem të regjistrohet në universitetet vendore ose të jashtme prestigje, sepse përsëri do të ketë katër lëndë të kërkuara për regjistrim në studimet universitare.”,- tha Blendi Hodai nga UNSHM.
“Arritëm zgjidhje kualitative kompromisi me të cilën garantohet kualitet i provimit të maturës me të cilin mundësohet çdo maturant të mund të regjistrohet në fakultet këtu në vend apo jashtë vendit. Ishte e nevojshme të adaptohet koncepti i maturës shtetërore për shkak të ndikimit të pandemisë në procesin arsimor.”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Sipas marrëveshjes:
- Materialet për provimet profesorët do të duhet t’i shpërndajnë tre javë para ditës së provimit;
– Baza me pyetje do të duhet të përmbajë prej 60 deri në 100 pyetje.
– Koeficienti i pikëve rritet nga 5 në 9 pikë;
– Provimi i parë – gjuhë amtare do të konsiderohet si adekuat për të gjitha institucionet e arsimit të lartë;
– Qendra e Maturës Shtetërore do të kthejë lëndët “Estetikë dhe filozofi” si provim i dytë ekstern në shkollat e artit;
– Universitetet do të publikojnë se cila nga lista e lëndëve interne është adekuate për ata. Edhe pse u kërkua që nota e provimit intern të nxirret nga nota mesatare e lëndës, kjo nuk do të ndodh për shkak se është në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën.
REJHANE BUSHI METAJ
